AKTUALITET, 4 Dhjetor 2020, 11:06

“Është vjedhje”, PD: Qeveria rindërton shkollat në Durrës me dyfishin e çmimit, drejtësia të veprojë

“Është vjedhje”, PD: Qeveria rindërton shkollat

Paraditen e sotme Kryetari i Partisë Demokratike në Durrës Ferdinand Xhaferraj, me anë të një deklarate, akuzon qeverinë, se po rindërton shkollat me dyfishin e çmimit.

Xhaferraj bën thirrje që drejtësia të veprojë e të mos flejë mbi dosjet e hajdutëve të fatkeqësive.

Postimi i kryetarit të PD-së Ferdinand Xhaferraj:

Një vit më parë, tërmeti i 26 Nëntorit e shndërroi Durrësin në qytetin më të dëmtuar nga pasojat e tij. Por një vit më pas, Durrësi po vuan koston shumë të lartëdhe të pamerituar të tërmetit të babëzisë së korrupsionit qeveritar.

Vetëm numri i shkollave të dëmtuara nga tërmeti ishte32. Edi Rama u premtoi durrsakëve se shkollat do të rindërtoheshin me shpejtësi dhe do të ishin gati për vitin e ri shkollor, por këtë premtim e mori era.

Sot, një vit pas tërmetit, asnjë nga shkollat e Durrësit nuk ka përfunduar. Ato janë parë si një mundësi për të ndarë paratë e taksapaguesve shqiptarë për klientët e zakonshëm të qeverisë.

Për të parë sesi vjedhin, mjafton të krahasojmë tenderine qeverisë dhe atë të Bashkimit Europian për shkollat. Të dy tenderat u hapën në të njëjtën kohë.

Bashkimi Europian do të ndërtojë 1 shkollë me 680 mijë euro, qeveria do të ndërtojë në Durrës 1 shkollë me 1.2 milionë euro, me gati dyfishin e çmimit.

Ky fakt i thjeshtë bën të qartë për çdo durrsak dhe qytetar tjetër shqiptar se programi i rindërtimit nga tërmeti është shndërruar në programin më të madh të përfitimit, abuzimit dhe vjedhjes.

Shkolla 14 Nëntori ku gjendemi sot është simbol i korrupsionit të qeverisë dhe bashkisë.

Shkolla u rikonstruktua 1 vit para tërmetit me rreth 1 milionë euro, fond ky i mjaftueshëm për të ndërtuar një shkollën ga e para. Vangjush Dako dha 1 milionë euro, por ato u zhdukën në 26 nëntor.

Askush nuk kërkon llogari për cilësinë e dobët të punimeve të kryera, që kanë vendosur nxënësit nërrezik. Tani, do të harxhohen edhe 1.2 milionë euro të tjera që shkolla të bëhet nga e para.

Po të shkojmë pak më tutje, është gjimnazi “NaimFrashëri”. Durrsakët besojnë se pas shembjes së shkollës fshihen afera korruptive, plane për ndërtime kullash mbrapa saj.

Deri në mars, kur shkollat u mbyllën nga pandemia, në këtë shkollë nxënësit kanë vijuar mësimin normalisht, pa u lajmëruar se shkolla ishte në rrezik shembje.

Tërmeti i babëzisë që nuk kursen as shkollat, ka lënë mbi 30 shkolla ende të papërfunduara në Durrës.

Një pjesë e tyre akoma nuk janë shembur apo nuk kanë nisur fare të ndërtohen. Mijëra nxënës dhe mësues mësojnë më 2 dhe 3 turne, shpeshherë pa transport të sigurtë, vetëm se hajdutët e fatkeqësive kanë si prioritet të vjedhin këdo, në çdo kohë.

Në Durrës, prokuroria ka një punë kolosale për të bërë. Kudo ku hapet një dokument për rindërtimin, është mbrapa një aferë korruptive.

Denoncimet janë në dosje, duhet pak vullnet për të bërë drejtësi për qindra mijëra durrsakë që po vidhen ditën për diell edhe me shkollat e fëmijëve.