TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ernest Muçi po përgatitet për një sezon të ri me shumë pritshmëri te Trabzonspori dhe tashmë zyrtarisht si lojtar i Trabzonsporit e jo më në huazim, ku duhej që të bindte drejtuesit e skuadrës.
Futbollisti shqiptar, i cili sezonin e kaluar u afrua fi llimisht në formë huazimi nga Beshiktashi, arriti të bindë me paraqitjet e tij dhe klubi turk vendosi të aktivizojë opsionin e blerjes për ta bërë përfundimisht pjesë të skuadrës. Me një investim prej 8.5 milionë eurosh për kartonin e tij, Trabzonspori tregoi besimin maksimal te Muçi, i cili tashmë shihet si një nga armët kryesore të repartit ofensiv. Nën drejtimin e trajnerit Fatih Teke, mesfushori i Kombëtares ka gjetur një rol shumë të rëndësishëm dhe pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të skuadrës në sezonin e ri.
RILINDJA TE TRABZONSPORI- Kalimi nga Legia e Varshavës te Beshiktashi ishte shoqëruar me shumë pritshmëri për Ernest Muçin, por aventura e tij te klubi bardhezi nuk shkoi sipas parashikimeve. Mesfushori shqiptar nuk arriti të siguronte vazhdimësinë e dëshiruar dhe shpesh u përball me kritika për mungesën e stabilitetit në paraqitje. Megjithatë, transferimi te Trabzonspori ndryshoi gjithçka. Në sistemin e Fatih Tekes, Muçi gjeti hapësirat dhe lirinë që i nevojitej për të shfaqur cilësitë e tij më të mira. Roli më i lirë në fazën sulmuese i dha mundësinë të ishte më afër portës dhe të ndikonte drejtpërdrejt në rezultatet e skuadrës. Sezonin e kaluar, 25-vjeçari zhvilloi 35 ndeshje zyrtare, ku realizoi 15 gola dhe dha 9 asistime. Me 24 kontribute direkte në gola, Muçi regjistroi sezonin më të mirë të karrierës së tij dhe u kthye në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Trabzonsporit, duke arritur edhe në Kupat e Europës.
REKORDI I TURQVE- Performanca e shqiptarit bëri që drejtuesit e Trabzonsporit të mos kishin dyshime për të ardhmen e tij. Klubi turk vendosi të përdorte klauzolën e blerjes prej 8.5 milionë eurosh dhe ta mbante Muçin në skuadër për një periudhë afatgjatë. Ky vendim tregon rëndësinë që lojtari ka marrë brenda projektit të klubit. Trabzonspori beson se Muçi mund të vazhdojë përmirësimin dhe të bëhet një nga figurat kryesore të ekipit, si në kampionatin turk ashtu edhe në arenën europiane.
Për disa javë, Muçi ishte transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit. Trajneri Fatih Teke ka qenë një nga faktorët kryesorë në shpërthimin e Muçit. Tekniku turk i ka dhënë shqiptarit më shumë liri në fushë, duke e përdorur në një rol ofensiv ku ai mund të shfrytëzojë teknikën, goditjen dhe aftësinë për të krijuar raste. Në sezonin e ri, Trabzonspori do të garojë në tre fronte dhe pritshmëritë ndaj Muçit janë edhe më të mëdha. Klubi pret që ai të jetë një nga lojtarët që do të mbajë peshën kryesore të sulmit dhe të bëjë diferencën në ndeshjet e rëndësishme. Përveç aftësisë për të shënuar, Muçi vlerësohet edhe për pasimet e fundit, duke qenë një nga asistuesit më të mirë në skuadër.
GJENDJA FIZIKE- Gjatë përgatitjeve për sezonin e ri, Muçi ka dhënë sinjale pozitive. Futbollisti shqiptar është shfaqur i motivuar në stërvitje dhe ka tërhequr vëmendjen e stafi t teknik me energjinë dhe dëshirën për të vazhduar në të njëjtin ritëm. Muçi duket se e ka lënë pas periudhën e vështirë dhe dëmtimet që kishte së fundmi e tashmë ndihet një nga liderët e skuadrës së Trabzonsporit.
SHIFRAT- Karriera e Ernest Muçit tregon një rritje të vazhdueshme, por periudha te Trabzonspori është padyshim më produktivja për të. Me fanellën e Tiranës ai kishte regjistruar 20 gola dhe 5 asistime në 64 ndeshje, ndërsa te Legia e Varshavës kishte realizuar 21 gola dhe 10 asistime në 114 paraqitje. Te Beshiktashi, shqiptari kishte 11 gola dhe 4 asistime në 61 ndeshje, por shpërthimi i vërtetë erdhi në Trabzon, ku në vetëm 35 ndeshje arriti shifra shumë më të larta me 15 gola dhe 9 asistime. Tashmë Ernest Muçi është kthyer në një nga emrat më të rëndësishëm të skuadrës turke dhe synon që sezonin e ardhshëm ta çojë edhe më tej nivelin e tij. Trabzonspori beson se shqiptari mund të jetë një nga liderët e projektit të ri dhe një figurë vendimtare në objektivat e klubit.