AKTUALITET, 20 Gusht 2018, 16:49

Erdogan: Sulmi amerikan ndaj ekonomisë sonë nuk ndryshon nga sulmi ndaj flamurit

Erdogan: Sulmi amerikan ndaj ekonomisë sonë nuk ndryshon nga sulmi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke iu referuar zhvillimeve të fundit midis vendit të tij dhe SHBA-ve, e ka konsideruar sulmin ndaj ekonomisë turke të njëjtë si ndaj flamurit kombëtar.

Ndërsa shfaqet në një video, ku uron të gjithë besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit, Erdogan u shpreh se një sulm ndaj ekonomisë turke nuk ndryshon nga një sulm kundër flamurit.

“Nuk ka dallim mes sulmit ndaj ekonomisë sonë dhe sulmit ndaj flamurit. Qëllimi është të gjunëzojnë Turqinë dhe popullin turk, qëllimi është ta na robërojnë. Ata që mendojnë se Turqinë do ta mposhtin me goditjen ndaj monedhës, ndërsa nuk patën sukses duke përdorur organizata terroriste, çeta të ndryshme tradhtare dhe kurthe, së shpejti do të kuptojnë sa gabojnë. Me ndihmën e Zotit, vendi ynë është mjaft i fuqishëm që ta tejkalojë të gjithë këtë. Mjafton të jemi unik” – u shpreh Erdogan teksa iu referua krizës me monedhën turke.

SHBA dhe Turqia janë përfshirë në një krizë për shkak të arrestimit të pastorit amerikan Andrew Brunson në Turqi. Brunson është akuzuar për dhënie ndihme ndaj grushtit ushtarak të dështuar në vitin 2016.