AKTUALITET, 15 Janar 2021, 12:10

Ekstradohen dy persona, Indrit Taullai, akuzohet nga SPAK për vrasje

Ekstradohen dy persona, Indrit Taullai, akuzohet nga SPAK për vrasje

Ekstradohen nga Gjermania dhe Kosova, drejt vendit tonë, dy shtetas shqiptar të shpallur në kërkim për disa vepra të rënda, mes tyre edhe Indrit Taullai, i cili akuzohet nga SPAK për vrasjen e Klodjan Saliut dhe si organizator i ekzekutimit të Vajdin Lamajt.

“Nga Interpol Tirana është bërë i mundur ekstradimi nga Republika e Kosovës drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Indrit Taullai, 46 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 02.12.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për konsumimin e veprave penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit, me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

Në 5 janar, Gjykata e Prizrenit miratoi ekstradimin në Shqipëri, të Indrit Taullait.

Ish-anëtar i “Bandës së Durrësit” u arrestua dy një muaj më parë në Kosovë.

Indrit Taullai ka qenë i dënuar me 25 vite burg, pasi u arrestua si pjesë “Bandës së Durrësit”, të cilët akuzohen për një sërë vrasjesh për hakmarrje ndaj grupeve kriminale rivale.

Më herët ai ishte liruar nga burgu nga një vendim i Gjykatës së Lartë, pasi vuante nga sëmundje e rëndë, ku argumentohej se duhej të trajtohej në kushte spitalore, jashtë ambienteve të burgut.

EKSTRADIMET E TJERA

Sot gjithashtu u realizua ekstradimi nga Stuttgart/Gjermani drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar: Gj. Ç., 56 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 11.09.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Po nga zyra e ZQK Interpol Tirana, ditën e sotme është finalizuar ekstradimi drejt Republikës së Kosovës, i shtetasit shqiptar: Ahmet Isufaj, 58 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas ishte shoqëruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, pasi Gjykata e Lartë, me Vendimin e Kolegjit Penal të kësaj gjykate, datë 11.12.2020, ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga ky shtetas ndaj vendimit të datës 23.07.2020 të gjykatës së Apelit Vlorë (me të cilin ishte vendosur lënia në fuqi e vendimit lejues të ekstradimit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier).

Ky shtetas është ekstraduar drejt Republikës së Kosovës, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” të vendosur nga Gjykata Themelore Prishtinë, për veprat penale “Krim i organizuar ” dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”.