SPORT, 13 Qershor 2020, 13:29

Eksod te Çelsi, zbulohen tetë lojtarët që pritet të largohen nga skuadra e Lamprdit

Eksod te Çelsi, zbulohen tetë lojtarët që pritet të


Ndërsa shumica e klubeve europiane po bëjnë llogaritë me kostot financiare të krizës së Koronavirusit, Çelsi duket shumë i zënë në merkato. Pasi konfirmuan transferimin e sulmuesit të Ajaksit, Hakim Zijeh që në shkurt, blutë e Londrës ranë dakord me Lajpcigun për të paguar edhe klauzolën e prishjes së kontratës së Timo Vernerit.

Por, merkatoja e Lampardit, i cili nuk ka bërë asnjë blerje në dy sesionet e para të transferimeve për shkak të embargos së FIFAs, nuk do të mbyllet me kaq. Objektivi i radhës është ylli i Leverkusenit, Kai Haverc, për të cilin Abramoviç është gati të paguajë 75 milionë paund. Ndërkohë që, për krahun e majtë të mbrojtjes, mbrojtësi i Lestërit, Ben Çiluell, mbetet objektivi numër 1. Por, për të bërë një merkato që në total mund të arrijë shifrën stratosferike të 250 milionë sterlinave, londinezët do të bëjnë edhe sakrifica.

“DailyMail” shkruante një ditë më parë se plot 8 lojtarë mund të sakrifikohen nga “Stamford Bridge” këtë verë: duke nisur nga ata që u skadon kontrata dhe do të largohen me parametër zero, Uillian dhe Pedro. Kante mund të jetë një largim gjithashtu që do t’i shokonte jo pak tifozët blu. Ndërkohë, emrat e tjerë të mundshëm që mund të shiten janë Ros Barklej, Zhorzhinjo, Markos Alonso, Miçi Batshuaji dhe Emerson Palmieri.