TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një ngjarje e rëndë është regjistruar e sot në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, ku një elektricist ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike.
Sipas informacioneve paraprake, viktima, A.Beqiri, rreth 60 vjeç, dyshohet se ishte duke ndërhyrë për të riparuar një linjë elektrike që kishte pësuar defekt, kur ka rënë në kontakt me rrymën dhe ka ndërruar jetë.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për të zbardhur të plotë rrethanat e kësaj ngjarjeje. Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e saktë të aksidentit.
Një banor i zonës ka folur për elektricistin Agim Beqiri, i cili humbi jetën tragjikisht pas kontaktit me rrymën elektrike në fshatin Zërvaskë të Pogradecit.
Banori tregon se Beqiri ishte punonjës i Bashkisë së Pogradecit prej shumë vitesh dhe merrej me riparimin e defekteve në linjat e ndriçimit. Sipas tij, elektricisti kishte konstatuar defektin një natë më parë dhe ishte kthyer sot për ta riparuar.
“Sot ishte punonjësi i komunës për defektet e linjave të ndriçimit. Ishte një person që punonte në komunë prej shumë kohësh, ishte një burrë shumë i mirë, i rregullt, i sinqertë, punonte shumë dhe ditët ë pushimit meqë kishte probleme fshati, erdhi e konstatoi mbrëmë defektin dhe erdhi ta bënte sot. Shumë keq më ka ardhur, t’i rrojnë fëmija. Ngushëllime familjes.”, tha ai.
Agim Beqiri humbi jetën gjatë punës në një shtyllë elektrike, ndërsa grupi hetimor po vijon verifikimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes së rëndë.