TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i FRD Sali Shehu, së bashku me nënkryetarin e LSI-së Petrit Vasili e kanë kaluar natën e mbrëmshme të ngujuar në selinë e kësaj force politike, pas përplasjeve të ditës së djeshme me punonjës të Bashkisë së Tiranës.
Në një intervistë të dhënë sot për Fax News, Shehu kërkoi nga Bashkia rilidhjen e energjisë elektrike, dhe i kërkoi Veliajt që çështjen ta çojë në Gjykatën Administrative, në rast se ka pretendime për ndërprerjen e kontratës.
Sipas Shehut, në rast se Gjykata do ti japë të drejtë Bashkisë së Tiranës, FRD do të dalë nga godina, pa bërë asnjë rezistencë, ndërsa tha se edhe kreu i KQZ-së i ka dhënë të drejtë atij, dhe pritet që të ketë një reagim publik gjatë ditës së sotme.
“Zyrat tona janë dhe një pjesë e shtabit elektoral të koalicionit Aleanca për Ndryshim. Ne këtë seli jemi me vendimin dhe me firmën e zotit Veliaj, ne kemi më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, unë mund tiu them se kontrata parashikon dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Në këtë rast duhet të ishte bashkia që duhej ti drejtohej Gjykatës Administrative, Bashkia ka rënë në një grackë.
Po të kishte marrë parasysh kontratën, kryetari i Bashkisë duhet të kishte ardhur dhe të më sqaronte sesi mund ta zgjidhnim këtë çështje, me dokumente fallso dhe me urdhëra pa vulë e firmë, më rezulton se është në një shtrëngesë të fortë politike.
Kjo letër ka ardhur pas nënshkrimit të koalicionit me opozitën, Bashkia s’ka pse interferon në këtë marrëveshje politike që ne kemi bërë.
Nuk kam pasur komunikim me zotin Topi, ju falenderoj pikësëpari ju mediave, ne jemi në një aktivitet normal si shtab elektoral i koalicionit, i bëj thirrje zotit Veliaj që të urdhërojë vartësit e tij që të na lidhin energjinë elektrike.
Dje kam pasur komunikim dhe me zotin Celibashi, thirrja ime e drejtpërdrejtë për mikun tim Veliaj, që çështja duhet të kalohet në rrugë ligjore, nëse Gjykata Administrative nuk na jep të drejtë ne do të largohemi nga këtu”, tha Shehu.
Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim dy persona, për përplasjet që ndodhën gjatë ditës së djeshme pranë zyrave të partisë Fryma e Re Demokratike.
Personat e shpallur në kërkim janë Agim Hoxhaj dhe Afrim Sufaj, ndërkohë që përplasjet në godinën e FRD-së kulmuan me mbërritjen e presidentit Meta, i cili kërkoi që Policia Bashkiake të largohet menjëherë nga zyrat e forcës politike që i është bashkuar koalicionit të opozitës.