AKTUALITET, 15 Mars 2020, 18:23

E frikshme/ 368 të vdekur në 24 orët e fundit në Itali

E frikshme/ 368 të vdekur në 24 orët e fundit në Itali


Rritet në mënyrë të frikshme bilanci i viktimave nga koronavirusi COVID-19 në Itali.

Numri i viktimave gjatë 24 orëve të fundit ka vajtur në 368, ndërkohë që në total kanë ndërruar jetë 1809 persona.

Ditën e shtunë, sipas komisarit të emergjencave në Itali, Angelo Borreli, ndërruan jetë 175 persona.

Të shëruarit janë 2335 persona, me një rritje prej 369 të infektuarish nga dita e djeshme.

Ecuria e të prekurve tashmë ka kaluar 20 mijë të sëmurët, duke e çuar në rreth 20603 numrin total, dhe duke futur në këtë llogari, edhe viktimat dhe të shëruarit, të prekurit në total nga koronavirusi ka shkuar në 27.747, sipas shifrave që jep Ansa.it.

Koronavirusi në Europë

Qeveria gjermane ka njoftuar se do të mbyllë kufijtë e saj me Francën, Zvicrën dhe Austrinë në 8 të mëngjesit nesër për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Siç raportohet nga “Bild”, lëvizja e mallrave duhet të jetë e garantuar, si dhe lëvizjet në këmbë. Aktualisht ka 5,072 raste të Covid-19 në Gjermani.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi, në të gjithë botën tejkaloi 6.000, pasi Spanja njoftoi 105 vdekje të reja. Këto janë statistikat e përgatitur nga AFP, në bazë të burimeve zyrtare. Një total prej 6.036 njerëz vdiqën dhe 159.844 u infektuan në të gjithë botën.

Kina mbetet vendi me numrin më të madh të vdekjeve (3,199) por tani është Evropa, që po përballet me epideminë, e cila po përparon me shpejtësi, me 1.907 viktima nga të cilat 1,809 në Itali dhe 288 në Spanjë, vendet më të prekura në kontinent.

Në Zvicër, rastet e konfirmuara pothuajse janë dyfishuar: infeksionet u rritën me gati 1.000 raste në 24 orë të dielën, duke arritur në 2.200 pacientë. 14 vdekje të regjistruara në vend.

Në Spanjë, ushtria ka filluar patrullimin në rrugët e Madridit dhe qyteteve të tjera spanjolle në vendet ku mund të ketë tubime dhe lëvizje të shumta, si stacioni i trenit dhe autobusëve. Të premten, qeveria mbylli shkollat ​​dhe ndaloi tubime të mëdha publike. Vendi gjithashtu ka rikthyer kontrolle të rrepta kufitare dhe ka vendosur kufij të rreptë.

E gjithë Republika Çeke do të karantinohet, për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Këtë e bëri të ditur kryeministri Andrej Babis, sipas raporteve nga agjensia Ctk. Sipas Ministrisë të Shëndetësisë, sot ka 214 raste Covid-19 në vend, një rritje prej 25 krahasuar me ditën e djeshme.

Austria mbyll gjithçka, duke ndjekur modelin italian. Do të mbyllen dyqanet dhe restorantet. . Ndalesa ka të bëjë edhe me terrenet e lojërave dhe fushat sportive. Ashtu si në Itali, vetëm transferimet e detyrueshme do të lejohen. Fluturimet e planifikuara për në Rusi, Ukrainë dhe Britani të Madhe pritet gjithashtu të ndalojnë. Kjo u njoftua nga kancelari Sebastian Kurz gjatë një seance të jashtëzakonshme parlamentare, e cila duhet të aprovojë masat që do të hyjnë në fuqi në mesnatë.

Në vendin tonë, deri në këto momente janë konfirmuar 42 persona të infektuar dhe një e moshuar ka ndërruar jetë. Qeveria ka vendosur një karantinë të përgjithshme dhe ka mbyllur institucionet arsimore dhe të gjithë aktivitetet komerciale, në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit. /TPZ.al/