AKTUALITET, 8 Prill 2020, 17:11

Dita ndërkombëtare e romëve, Meta: Vëmendje e posaçme në këtë situatë ndaj këtij komuniteti

Në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Romëve, presidenti Ilir Meta përmes një mesazhi pohon se ky komunitet kremton sot traditat e pasura kulturore. Meta theksoi se shoqëria jonë ndonëse ndihet krenare për promovimin e tolerancës, ende përballet me sfidën dhe nevojën e domosdoshme për mirëintegrimin dhe përfshirjen sociale të romëve.

Mes të tjerash kreu i shtetit theksoi se në këto momente të vështira për shkak të pandemisë COVID-19, një vëmendje e posaçme duhet treguar edhe ndaj këtij komuniteti, për shkak edhe të kushteve tepër të vështira, në të cilat ndodhen shumë përfaqësues të saj.

MESAZHI I METES

BAHTALO TUMARO DIVE 8 APRIL!

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Romëve, këtij komuniteti të dashur, që sot kremton për traditat e pasura kulturore, trashëgiminë e larmishme, historinë e veçantë dhe gjuhën aq melodioze.

Shoqëria jonë ndonëse ndihet krenare për promovimin e tolerancës, gjithëpërfshirjes, diversitetit dhe respektit ndaj komuniteteve dhe minoriteteve, ende përballet me sfidën dhe nevojën e domosdoshme për mirëintegrimin dhe përfshirjen sociale të romëve, të cilët për fat të keq në shumë raste ende diskriminohen, u mungojnë kushtet minimale të jetesës, punësimi, kujdesi arsimor e shëndetësor.

Arsimimi i fëmijëve Rom është një element thelbësor për të bërë të mundur përfshirjen e tyre sociale dhe përparimin në jetë.

Veçanërisht në këto momente të vështira për shkak të pandemisë COVID-19, një vëmendje e posaçme duhet treguar edhe ndaj këtij komuniteti, për shkak edhe të kushteve tepër të vështira, në të cilat ndodhen shumë përfaqësues të saj.