AKTUALITET, 28 Nëntor 2017, 19:46

Dita e Pavarësisë, Robert Aliaj: E duam Shqipërinë pa prangat e gangsterizmit

Dita e Pavarësisë, Robert Aliaj: E duam Shqipërinë pa

I njohur për stilin e tij të pavarur të të gjykuarit – shpesh herë edhe më ekstravagant se ai i Kryeministrit Edi Rama, artisti Robert Aliaj ka bërë një koment kritik të cilin e ka publikuar në faqen e tij personale në Instagram.

Ai ka kritikuar ata që bëjnë patriotin në rrjetet sociale dhe i ka ftuar të gjithë shqiptarët të reflektojnë dhe ti bëjnë vetes një pyetje: Çfarë bëj unë për Shqipërinë?

“Sot është dita kur secili nga ne duhet të pyesë veten: Çfarë bëj unë për Shqipërinë? Të pyesni veten se çfarë ne mund të bëjmë së bashku për mendimin e lirë, për një Shqipëri të çliruar nga prangat e gangsterizmit.

Stop Patriotizmit instant që është një supersticion i krijuar artificialisht dhe mbahet përmes një rrjeti, gënjeshtrash dhe falsiteti, një paragjykim që i vjedh njeriut veterespektin dhe dinjitetin, që amplifikon arrogancën dhe mendjemadhësinë absurde. Stop patriotizmit si mbeturinë e djegshme në shërbim të pishtarit të cilitdo ambicioz me pushtet.

Patriotizmi në kontekstin e kohës sonë është një ndjenjë përgjegjësie kombëtare. Jo shfrytëzimit të pasurive natyrore, jo shkatërrimit dhe padijes. Jo patriotizmit instant afatshkurtër. Joo shpërthimeve të ekzaltuara të emocioneve primitive.

Po përkushtimit dhe qëndrueshmërisë. Shqipëria pret nga çdo burrë dhe çdo grua shqiptare, të përmbushin misionin e tyre në shërbim të kombit. Zoti e bekoftë Shqipërinë.”- shkruan Robert Aliaj.

TPZ.AL