AKTUALITET, 11 Tetor 2019, 11:41

Dita e ndeshjes vendimtare, tekniku Reja dhe shqiptarët presin dhuratë nga Kombëtarja

Dita e ndeshjes vendimtare, tekniku Reja dhe shqiptarët presin dhuratë


Sot në mbrëmje në orën 20:45, Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë sfidën vendimtare të këtyre eliminatoreve.

Në fund të 90 minutave me Turqinë, do të mund të kemi një panoramë të qartë të grupit ku bëjmë pjesë, nëse mund të vazhdojmë ëndrrën për t’u përfaqësuar sërish në një kampionat Europian, apo duhet të fillojmë të përgatisim grupin e futbollistëve për kualifikueset e radhës, ato të botërorit të Katarit në vitin 2022.

Ndërkohë, nëse iu hedhim një sy statistikave, kuqezinjtë nuk do ta kenë aspak të lehtë përballë vendasve. Turqia vjen si e para e grupit, duke qenë se në shtëpi kanë mposhtur edhe Francën. Në këto eliminatore kanë fituar pesë ndeshje dhe në secilën prej tyre nuk kanë pësuar gol.

Të besuarit e trajnerit Edi Reja duhet të tregohen të vëmendshëm pasi turqit pesë nga shtatë golat e shënuar në shtëpi, i kanë realizuar pa kaluar 60 minuta.

Kuqezinjtë, ndërkohë janë mposhtur në dy ndeshjet e fundit në transfertë , përballë Islandës dhe Francës, megjithatë ato mbeten të vetmet disfata në shtatë transferta në dy kualifikueset e fundit të europianit.

Sakaq, në gjashtë përballje direkte me Turqinë, statistikat tregojnë se ekipi i parë që shënon, siguron edhe triumfin përfundimtar të takimit. Lojtari për t’u pasur në konsideratë nga kundërshtarët është Xhenk Tosun, i cili ka shënuar tre gola në katër përballjet e fundit.

Megjithatë, në të njëjtën kuotë mbetet edhe sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Sokol Cikalleshi.