SPORT, 30 Prill 2021, 10:45

Dhurata për Antonio Conten, Interi në sulm për talentin argjentinas

Dhurata për Antonio Conten, Interi në sulm për talentin


Antonio Conte ka në dispozicion një kontingjent të pasur lojtarësh, por gjithmonë ka vend për përforcime. Një nga objektivat e kampionëve të ardhshëm të Italisë është Thiago Almada. Argjentinasi luan në rolin e mesfushorit ofensiv dhe është pjesë e Velez.

Vetëm 20 vjeç, 72 ndeshje zyrtare me ekipin argjentinas dhe 2 gola e po kaq asiste këtë sezon. GDS raporton se Almada pëlqehet shumë nga klubi zikaltër, që po përgatit një ofertë për Velez. Drejtuesit e klubit latin kërkojnë rreth 20 milion euro për ta lënë të lirë talentin e mesfushës.

Ndërkohë, i sigurt është rikthimi i dy lojtarëve nga Hellas Verona, aty ku po luajnë të huazuar. Flasim për Federico Di Marco dhe Eddie Salcedo. I pari luan si anësor i majtë dhe ka zhvilluar një sezon shumë pozitiv me ekipin e Ivan Juric.

23-vjeçari është një prodhim i Interit dhe sezonin e ardhshëm do të ketë mundësinë të luajë me ekipin e parë. Nën urdhrat e Antonio Contes do të vihet edhe Eddie Salcedo (2 gola dhe 2 asiste me Hellas Verona), i cili do të jetë sulmuesi i katërt i Interit.