AKTUALITET, 23 Korrik 2019, 16:49

Dhunimi i memorialit të Thimio Lolit, reagon Athina: Shqipëria të çojë para drejtësisë autorët

Dhunimi i memorialit të Thimio Lolit, reagon Athina: Shqipëria të

Pas dhunimit të memorialit të Thimio Lolit në Finiq, ka ardhur dhe një reagim nga Ministria e Jashtme greke. Në një deklaratë për mediat, Athina zyrtare kërkon nga Shqipëria që të hetojë, zbulojë dhe vendosë para drejtësisë sa më shpejt autorët.

“Ministria greke e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen dhe shqetësimin e saj për shpërthimin e monumentit dhe e dënon fuqishëm.

Ngjarja sfidon minoritetin kombëtar grek dhe në fund të fundit marrëdhëniet greko-shqiptare. Duhet të hetohen menjëherë dhe autorët të vendosen para drejtësisë. Presim që pala shqiptare të veprojë sa më shpejt që të jetë e mundur duke rikthyer ndjenjën e sigurisë së Pakicës Kombëtare Greke.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada Greke, si dhe Autoritetet Konsullore në Shqipëri, po ndjekin nga afër këtë rast”, thuhet në deklaratën e Athinës zyrtare.

Një sasi dinamiti është vendosur sot në memorialin e Thimio Lolit në Finiq, ku ka pasur dëmtime të mëdha. Sipas infoprmacioneve mësohet se shpërthimi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, dhe nuk dihen ende autorët.