TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në 95-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, është inauguruar në Menkulas të Devollit muzeu kushtuar jetës dhe veprës së tij. Në ceremoninë e zhvilluar në vendlindjen e shkrimtarit mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndërsa aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve, studiues, familjarë dhe banorë të zonës.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e Dritëro Agollit në letërsinë dhe kulturën shqiptare, duke theksuar lidhjen e pandarë të shkrimtarit me vendlindjen dhe njerëzit e thjeshtë, të cilët mbetën një burim i rëndësishëm frymëzimi në krijimtarinë e tij.
Sipas Begajt, hapja e muzeut përfaqëson jo vetëm një homazh për shkrimtarin, por edhe një pasuri të re kulturore për Devollin dhe Shqipërinë.
Një rol të rëndësishëm në realizimin e projektit ka pasur edhe Këshilli i Qarkut Korçë, ndërsa kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro, falënderoi kontribuuesit që bënë të mundur ndërtimin e muzeut. Ai bëri thirrje që familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e shkrimtarit të kontribuojnë me fotografi, dokumente dhe materiale të tjera, për të pasuruar më tej fondin muzeal.
Për familjen Agolli, përurimi i muzeut përmbush një dëshirë të rëndësishme të shkrimtarit. Nipi i tij, Emil Agolli, u shpreh i emocionuar që kjo dëshirë u bë realitet, duke theksuar se Menkulasi ishte vendi ku gjyshi i tij kaloi fëmijërinë dhe hodhi themelet e formimit të tij. Familja ka sjellë në muze sende personale të shkrimtarit, mes tyre makinën e shkrimit, stilolapsa, libra nga biblioteka e tij, fotografi dhe objekte të tjera që lidhen me jetën dhe krijimtarinë e tij.
Edhe studiuesi Ali Jashari kujtoi lidhjen e veçantë njerëzore dhe intelektuale që kishte me Dritëro Agollin, duke vlerësuar dashurinë e shkrimtarit për njerëzit, studiuesit dhe ata që i kushtohen gjuhës shqipe. Ai bëri të ditur se ka sjellë për muzeun materiale që lidhen me veprimtarinë dhe kujtimin e shkrimtarit.
Muzeu “Dritëro Agolli” synon të ruajë dhe të përcjellë te brezat e rinj trashëgiminë e një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare. Përmes objekteve personale, fotografive dhe dokumenteve, vizitorët do të kenë mundësinë të njohin jo vetëm krijimtarinë e tij, por edhe njeriun që mbeti i lidhur me vendlindjen, traditat dhe njerëzit e Devollit.