AKTUALITET, 17 July 2026, 22:14

Detaje nga atentati në Sarandë, i plagosuri në gjendje të rëndë! Kush është shënjestra, i skeduar për disa vepra penale? 50-vjeçari babai i të riut që dhunoi efektivin Mihal Velço

wmremove-transformed.jpeg

Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Sarandës, ku ka mbetur i plagosur rëndë 50-vjeçari Thimjo Rubati alias Sandër Rubati.

Mësohet se Rubati është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës dhe ndodhet aktualisht në sallën e operacionit, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një atentat të organizuar, pasi 50-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga dy persona të maskuar, të cilët dyshohet se lëviznin me një motomjet në lagjen nr. 4 të Sarandës.

Pas të shtënave, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka ngritur pika kontrolli dhe ka blinduar hyrje-daljet e qytetit në përpjekje për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Thimjo Rubati rezulton të ketë një të kaluar me precedentë të shumtë penalë. Në vitin 2002 ai është arrestuar për trafikim të të miturve, ndërsa në vitin 2012 për rrëmbimin e një 16-vjeçareje. Gjithashtu, ai ka qenë i përfshirë në çështje që lidhen me veprat penale të trafikimit të klandestinëve, kontrabandës, armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të mjeteve motorike.

Detajet e para të hetimit tregojnë se ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë Mihal Velço.

Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim djalin e Thimjo Rubatit, Andrea Rubati, 27 vjeç, së bashku me dy persona të tjerë, Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, të tre me precedentë penalë.