AKTUALITET, 28 Janar 2020, 14:14

Del foto e viktimës, ja kush është Jan Prenga. U mor peng, por gjeti vdekjen nga dhuna


Personi qe shihni në foto është Jan Prenga, burri që u mor peng në Kamzë, por gjeti vdekjen, rrugës teksa e transportonin për në resortin ku do të mbahej në izolim nga personat që e rrëmbyen.

Ngjarja ndodhi në orën 11:44, në rrugën “London”, në Kamzë, të Tiranës. Sot, policia konfirmoi zyrtarisht se Prenga ka gjetur vdekjen, por trupi i tij është fshehur dhe nuk është gjetur ende.

"Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit J. P., kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit A. H”- njoftoi policia.

Sipas saj, në bashkëpunim me prokurorinë vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në organizmin dhe rrëmbimin e këtij personi, me pasojë vdekjen.

Policia e Shtetit, teksa ka dhënë detajet e operacionit të djeshem në Shikaj, bën me dije se “Në vijim të punës nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 17.01.2020, në rrugën “London”, Kamzë, ku disa persona rrëmbyen 49-vjecarin Jan Prenga, pas një hetimi të thelluar, në bashkëpunim me prokurorinë, duke përdorur metodat proaktive, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje”.

Personat e arrestuar janë Bajram Hajri, djali i tij, Leonard Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri.

“Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe,"-njofton policia./Panorama