AKTUALITET, 22 Nëntor 2019, 16:46

Deklaratat e forta të Metës për ambasadën e SHBA-ve, reagon DASH: Po vëzhgojmë!

Deklaratat e forta të Metës për ambasadën e SHBA-ve, reagon

Departamenti i Shtetit (DASH) thotë se “është në dijeni” të komenteve të Presidentit Ilir Meta ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe diplomatëve amerikanë dhe se “është duke e vëzhguar situatën”.

Pas sugjerimit të djeshëm të ambasadës amerikane në Tiranë që Shqipëria t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias lidhur me përplasjen për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta u shpreh me një gjuhë të ashpër duke thënë “Jo më shtet të ambasadave, por shtet të së drejtës”.

Duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për komentet e djeshme të Presidentit Meta, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkura nuk ka ndryshuar”, thotë zëdhënësi, duke shtuar se “vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Shtetet e Bashkuara, shton më tej zëdhënësi, “do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”./VOA