BALLKAN, 2 August 2026, 17:21

E vrau dhe e fshehu trupin në një valixhe/ Në pranga autori në Greqi, 26-vjeçari pranon krimin ndaj 38-vjeçares skoceze

Një 26-vjeçar është arrestuar nga autoritetet greke në lidhje me vdekjen e një gruaje skoceze, trupi i së cilës u gjet brenda një valixheje në një ndërtesë të braktisur në Athinë.

Sipas policisë greke, i arrestuari është një shtetas i huaj dhe dyshohet se ka lidhje me vrasjen e 38-vjeçares Elisabeth-Jane Ross.

Trupi i viktimës u zbulua më 18 korrik nga një burrë i pastrehë, në një ndërtesë të braktisur në Athinë. Hetimet paraprake tregojnë se gruaja kishte ndërruar jetë pesë deri në shtatë ditë përpara se të gjendej. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, dikush dyshohet se përdorte telefonin e saj celular për të dërguar mesazhe, duke u shtirur si ajo.

Autoritetet arritën ta identifikonin viktimën përmes gjurmëve të gishtërinjve. Elisabeth-Jane Ross, e cila besohet se ishte nga Edinburgu, kishte hyrë në Greqi më 26 qershor dhe fillimisht kishte qëndruar me miq në Pire.

Më vonë, ajo kishte planifikuar të takohej me disa miq amerikanë në një zonë tjetër të Athinës, por nuk është e qartë nëse takimi u zhvillua.

Policia bëri të ditur se identifikoi të dyshuarin pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë. Sipas autoriteteve, ai ka pranuar autorësinë e krimit gjatë marrjes në pyetje të enjten.

Hetuesit dyshojnë se 26-vjeçari e futi trupin e viktimës në një valixhe dhe e transportoi në ndërtesën e braktisur ku u gjet më vonë. Gjithashtu, ai dyshohet se përdori kartën bankare të 38-vjeçares për të tërhequr para në ditët pas vdekjes së saj.

Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, policia gjeti një pistoletë dhe një thikë. Ndaj tij janë ngritur akuza për vrasje, grabitje dhe shkelje të legjislacionit për armët.

Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se po ofron mbështetje konsullore për familjen e viktimës dhe është në kontakt me autoritetet greke.

Ndërkohë, Policia e Skocisë konfirmoi se është në dijeni të ngjarjes dhe po bashkëpunon me autoritetet në Greqi, ndërsa oficerët po i ofrojnë mbështetje familjes së Elisabeth-Jane Ross.

Top Channel