AKTUALITET, 23 Shtator 2020, 21:09

"Çunat e Nismës, janë çunat e Sorosit", si përgjigjet Endri Shabani për aludimet dhe teoritë konspirative

"Çunat e Nismës, janë çunat e Sorosit", si


Endri Shabani, një një prej aktivistëve të "Nisma Thurje", lëvizje e cila do të kthehet në parti politike dhe do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ka dhënë një intevistë për gazetaren Beti Njuma në "RTV Ora".

Ndër të tjera, Shabani është pyetur edhe për disa aludime, kryesisht nga komentues në rrjetet sociale, se "Nisma Thurje", financohet dhe mbështetet nga "Soros".

Ai tha se këto janë teori të parëndësishme, pjesë të telenovelës politike dhe se "Nisma Thurje" është financuar, në turin e bashkëbisedimit me qytetarët, nga vetë qytetarët, me dhurime online.

Shabani tha se aludimet e natyrës konspirative, janë pjesë e një mendësie "staliniste", që kërkon gjithmonë të gjejë "diversantë dhe agjentë të dyfishtë".

"Turet nëpër rrethe, janë gjëja më e bukur që kemi bërë. E kemi nisur me një fushatë “Go fund me”, qytetarët kanë dhuruar paratë e veta, që ne të bënim turin. Nuk shkuam tek oligarkët, apo të merrnim mbështetje ilegale, por u thamë shqiptarëve, duam të vijmë vërdallë nëpër Shqipëri, të diskutojmë këto idetë që janë tek “Karta 2020”, na duhen kaq para. Në një periudhë rekord u mblodhën mijëra euro. Faqja vijon të jetë online, mund të shihni dhurimet, sa kanë dhuruar dhe kush ka dhuruar.

Në lidhje me Sorosin, ka prapë pjesë të mentalitetit stalinist, këtu për 50 vjet është luajtur me teori diversantësh, me agjentë të dyfishtë, me luftën e ftohte, etj, etj. Kjo është ushqyer edhe nga këta që janë në pushtet, që kanë krijuar bindjen, Rama, Berisha, Meta, që nuk më duhen shqiptarët, por ndërkombëtarët, më mbështet ky apo ai. Në këtë shtrat bien edhe këto teoritet e tjera, që përpiqen të gjejnë një pronar dhe kur shohin që nuk është Rama, gjejnë këto.  Më duken të parëndësishme këto teori, sepse janë pjesë e telenovelës", tha Shabani.

/TPZ.al/