TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministri i Jashtëm në detyrë, Genti Cakaj, ka urdhëruar largimin dhe transferimin e 21 punonjësve të shërbimit të jashtëm, pjesë të disa përfaqësive tona diplomatike.
Nisma e ministrit në detyrë për pastrimin e diplomacisë shqiptare nga nepotizmi ka prekur vetëm nivelet e dyta dhe të treta të hierarkisë të shërbimit të jashtëm. Por mes tyre rezulton se një pjesë e tyre kishte mbushur mandatin e plotë si diplomatë dhe prisnin transferimin. Nga lëvizjet e fundit janë prekur stafet tona diplomatike në Greqi, Bruksel, Zyrih, Londër, OKB, Danimarkë, Vjenë, Bullgari etj.
Por përveç përtëritjes së stafit, kjo lëvizje ka dëmtuar dhe cilësinë e shërbimit tonë të jashtëm.
Një dëm i madh në cilësinë e punës së misionit tonë diplomatik është lëvizja e dy diplomatëve tanë në përfaqësimin tonë në OKB, ku kishte kohë që punohej për të marrë një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një vend jo i përhershëm, por me shumë reputacion për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Heqja e dy diplomatëve të njohur, tashmë në Nju Jork, Arben Idrizi dhe Eltion Vërleni, i cili do transferohet pranë shërbimit të jashtëm në Ministrinë tonë të Jashtme, e ka dobësuar shërbimin tonë atje pas kërkesës që Ministria e Jashtme ka bërë që Shqipëria të jetë anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mes vendeve më të fuqishme të botës në vitet 2022- 2023.
Po ashtu, thuajse bosh ka mbetur ambasada jonë në Athinë, ku pas lëvizjes ka mbetur vetëm ambasadori ynë atje dhe një diplomat. Ambasada jonë në Athinë ka një volum të madh pune për shkak të përqendrimit të numrit më të madh të shqiptarëve në kryeqytetin grek, por dhe të negociatave për përcaktimin e kufirit detar dhe zonat ekonomike ekskluzive dhe procesin e hapjes së negociatave me BE-në, shkruan Panorama. Po ashtu dhe ambasada jonë në Danimarkë ka mbetur vetëm me ambasadorin dhe një diplomat.
MINISTRI
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, pak ditë më parë në deklaratën e tij të parë si ministër, lajmëroi se do të largoheshin nga detyra 20 punonjës të shërbimit diplomatik, të cilët, sipas tij, nuk plotësojnë kriteret ligjore dhe janë emëruar në mënyrë nepotike, duke akuzuar indirekt paraardhësin e tij Ditmir Bushati.
Në një deklaratë për mediat nga Ministria e Jashtme, Cakaj theksoi se: “Pas kësaj ndërmarrjeje të kujdesshme, sot unë jam me ju të ndaj faktin se kam vendosur të shkëpus marrëdhënien me një pjesë të punonjësve që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as kushtet minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre, e lëre më pastaj mbështetur ambicien e kësaj qeverie e vizionin e Kryeministrit për ta çuar në lartësinë e merituar përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Po ashtu, një pjesë tjetër e punonjësve do të transferohen menjëherë për të vepruar dhe punuar sipas nevojave reale të punës dhe jo sipas inercionit të së shkuarës. Fillimisht ju informoj se numri i të prekurve nga kjo iniciativë reformatore do të shkojë mbi 20. Përgjatë të gjithë kryerjes së detyrës time dhe kjo po ashtu nënkupton edhe komunikimin e hapur dhe periodik me ju, sfida europiane e Shqipërisë dhe axhenda jonë reformiste e pellgut të ndenjur të së shkuarës, nuk përkon kurrsesi me nepotizmin, klientelizmin politik dhe korrupsionin moral në asnjë sektor e lëre më pastaj në përfaqësitë e Shqipërisë nëpër botë”. Ai foli për nepotizëm në shërbimin e jashtëm.
“Shqipëria nuk është e miqve, nuk është e kushërinjve politikë, apo klaneve e krushqive të kujtdo qoftë, por është e të gjithëve pa dallim dhe meriton të përfaqësohet nga më të dalluarit, që punojnë me mendje, veprojnë me shpirt e shërbejnë me pasion, me kapacitetin e plotë profesional dhe moral”, tha ministri në detyrë, Cakaj.
LARGIMET NGA PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE
Athinë, Greqi
Laureta Minga
Florian Nova
Enkeleda Ramizi
Selanik, Greqi
Artur Porpollogu
Ardian Mara
Vjenë, Austri
Adhurim Resuli
Sofje, Bullgari
Novruz Ceta
Sarandi Napo
BE, Bruksel
Bruna Koço
Blerta Derhemi
Ankara, Turqi
Inida Methoxha
Danimarkë
Marsela Xhixho
Londër, Angli
Pranvera Skana
Edmond Caca
Gjenevë, Zvicër
Fatjon Demneri
Nju Jork, SHBA
Arben Idrizi,
Eltion Vërleni (kthim në ministri)
Hagë, Holandë
Xhuljeta Keko
Romë, Itali
Edmond Kumaraku.