AKTUALITET, 29 Mars 2019, 13:45

Festa Kombëtare e Greqisë/ Deputeti Hyseni: Të gjithë ndihemi pak grekë

Festa Kombëtare e Greqisë/ Deputeti Hyseni: Të gjithë

Partitë minoritare shqiptare kanë qenë të pranishme një ditë më parë në Festën Kombëtare të Greqisë në Finiq. Të pranishëm ishin kryetari i bashkisë së Finiqit, Leonidha Kristo, deputeti I PS-së, Alket Hyseni, kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, kryetari i Partisë MEGA, Kristaq Kiço, zv/konsulli i Greqisë në Gjirokastër, Kostandinos Niqelis, deputeti i PS, Andrea Marto, si dhe deputetë të parlamentit grek.

Mirëpo ajo që ka tërhequr vëmendjen e njerëzve të pranishëm është se deputeti Hyseni ka folur greqisht.

“Sot do flas greqisht, pasi sot të gjithë ndihemi pak grekë. Ju përcjell urimet e kryeministrit Rama dhe deputetit Damian Gjiknuri. Jam i sigurt që vitin tjetër do të festojmë në qendrën e re këtu,”- është shprehur Hyseni.

Më pas fjalën e mori Vangjel Dule, i cili u shpreh: Festojmë sot 25 marsin ditën e lirisë, ditën e pavarësisë. Kjo është një festë e madhe për gjithë grekët në mbarë botën.

Ndërsa kryetari i Partisë Mega, Kristaq Kiço në fjalën e tij, tha se ndihet shumë krenar që feston 25 marsin.

“Ndihemi krenar për këta fëmijë që për vit të dytë radhazi këtu në zemrën e helenizmit festojnë krenarë 25 marsin. Të flasë njeri për historinë greke do shumë kohë. Është e pambarueshme historia greke, mësimet e saj dhe jo vetëm për ne, por për gjithë botën,”- u shpreh Kiço.