AKTUALITET, 18 Mars 2021, 11:16

“Burri mori thikën e kuzhinës dhe.../ Dëshmitë e para pas krimit: Çifti po bisedonte, por situata u agravua! Ja si e vrau 29 vjeçari bashkëshorten

“Burri mori thikën e kuzhinës dhe.../ Dëshmitë e para

Një krim brenda familjes ka tronditur qytetin e Fierit mbrëmjen e së mërkurës. Një 29- vjeçar ka qëlluar për vdekje gruan e tij gjatë një debati të çastit mes tyre.

"Panorama" raporton se mes çiftit të ri ka nisur fillimisht një debat për motive banale, ndërsa burri më pas në gjaknxehtësi e sipër e ka qëlluar gruan e tij me thikë.

Ajo ka humbur jetën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa krimi dyshohet se ka ndodhur në sy të të afërmve të tjerë.

Viktima është identifikuar si Irvana Medinaj, 28 vjeçe, nënë e dy fëmijëve të mitur, ndërsa autor për këtë krim në familje është shpallur shtetasi Demokrat Medinaj, 29 vjeç.

Edhe pse familjarët e tjerë janë munduar t’i vijnë në ndihmë gruas së re, plaga e thikës ka qenë fatale. Ajo ka humbur jetën para se të transportohej në spital.

NGJARJA

Uniformat blu bënë të ditur se kanë qenë familjarët ata që kanë njoftuar fillimisht ambulancën e më pas Policinë për ngjarjen. Por ndërkohë, autori i dyshuar ka mundur të largohej nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, Policia tha se i riu e ka qëlluar bashkëshorten me mjet prerës (thikë) çka ka sjellë vdekjen e menjëhershme të saj.

“Sot (dje) rreth orës 17:20, në lagjen ‘Sheq i Madh’, në banesë, shtetasi D. M., 29 vjeç, ka goditur me mjet të mprehtë(thikë), bashkëshorten e tij, shtetasen I. M., e cila ka ndërruar jetë. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit dhe po punohet për kapjen e autorit, i cili është larguar nga vendngjarja. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi Policia pas ngjarjes.

Ndërkohë, bazuar në dëshmitë e të afërmve, çifti i bashkëshortëve nuk kanë pasur probleme të tjera me njëri-tjetrin. Ditën e djeshme, ata kanë qenë duke biseduar me njëri-tjetrin, ndërsa një moment biseda ka agravuar në tone të ashpra, çka ka çuar më pas në goditjen fatale. Burri ka marrë thikën e kuzhinës dhe e ka qëlluar 28-vjeçaren, e cila ka humbur më pas edhe jetën.

VIKTIMA DHE AUTORI

Çifti Medinaj ka dy fëmijë të mitur. Momentin kur ka ndodhur ngjarja fëmijët kanë qenë të pranishëm, ashtu si edhe të afërm të tjerë.

Njëri prej këtyre të fundit i ka thënë Policisë se autori dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, fakt ky që sillte edhe konflikte të shumta mes tyre, pasi i riu bëhej xheloz ndaj bashkëshortes. Çifti Medinaj jeton në lagjen “Sheq i Madh” në qytetin e Fierit.

Sipas burimeve, vrasja e 28-vjeçares nga bashkëshorti ka ndodhur në prani të personave të tjerë të familjes. Këta të fundit kanë telefonuar Policinë dhe Spitalin, duke deklaruar se kanë një person të plagosur në shtëpi, por kur bluzat e bardha kanë mbërritur e kanë gjetur gruan 28-vjeçare Irvana Medinaj të shtrirë në tokë me plagë dhe të pajetë.

Ekspertët kanë gjetur në vendin e ngjarjes mjetin prerës, me të cilin dyshohet të jetë qëlluar viktima. “Thika është lënë ne vendin ku ndodhi krimi, ndërsa autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes”, thanë burimet.

Kush është 29-vjeçari që vrau gruan në banesë, nipi i “Ben Qimes”

Demokrat Medinaj, 29-vjeç, i dyshuar se qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij pasditen e djeshme në banesë, mësohet se është nipi i Arben Isufaj, i njohur ndryshe me nofkën “Ben Qimja”.

29-vjeçari, pasi vrau bashkëshorten e tij, Irvana Medinaj, 28 vjeçe, nënë e dy fëmijëve të mitur, është larguar nga vendi i ngjarjes për t’u shpallur në kërkim nga Policia.

Mirëpo, le të kujtojmë se kush është i afërmi i Medinajt, “Ben Qimja”. Ky i fundit është akuzuar për akuza të rënda penale, si ajo e trafikut ndërkombëtar të drogës, kokainës.

Ndërsa më herët, i është nënshtruar edhe një hetimi pasurie. Në gjyqet e zhvilluara ndaj tij ai dyshohej se është marrë me aktivitete kriminale në Holandë dhe Itali, duke shitur dhe trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine dhe heroine. Arben Isufaj dyshohet se ka trafikuar nga Holanda në drejtim të Italisë, një sasi prej 23 kilogramë kokaine.

Në grupin kriminal ku bën pjesë Isufaj i përbërë me 11 persona, kanë qenë edhe dy korrierë grekë, ndërkohë pjesa tjetër sipas dokumenteve italiane kanë qenë shtetas shqiptarë, kryesisht nga qyteti i Fierit.

Sasia e drogës e sjellë nga Holanda në Itali, është shpërndarë në qytetin e Melegnanos.

Grupi kriminal ku bënte pjesë dhe “Ben Qimja” transportonte dhe mbante me qëllim që ta shpërndante sasinë e kokainës në Itali.