AKTUALITET, 9 Dhjetor 2019, 16:27

Brexit, premtimet e partive dhe votimi taktik, gjithçka duhet të dini për zgjedhjet e parakohshme në Britani

Brexit, premtimet e partive dhe votimi taktik, gjithçka duhet të

Mbretëria e Bashkuar do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në datën 12 dhjetor. Që prej vitit 2015, këto janë zgjedhjet e treta të përgjithshme që do të mbahen në këtë vend dhe i gjithë fokusi vijon të mbetet tek Brexit.

Boris Johnson ka një premtim të qartë për votuesit, nëse Konservatorët fitojë një mazhorancë që mund të kalojë në parlament marrëveshjen e tij me BE-në, Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Europian në 31 Janar 2020.

Ndërsa Laburistët e Jeremy Corbyn, propozojnë një referendum të dytë, ku qytetarët të mund të votojnë për termat e një marrëveshje mes MB-së dhe BE-së (e ri-negociuar nga laburistët), por duke përfshirë edhe opisionin për të qëndruar në Bashkimin Europian.

Veç planeve dhe zotimeve për Brexit, që vijon të jetë thelbësore në këto zgjedhje, ka edhe të tjera çështje me rëndësi që i ndajnë palët, siç është sistemi shëndetësor dhe imigrimi.

Kreu i Laburistë, Jeremy Corbyn, e ka sulmuar vazhdimisht kreun e Koservatorëve, Johnson, sa i përket sistemit shëndetësor në Britani, duke thënë se ky i fundit kërkon t'ja shesë NHS-në (që garanton shërbime shëndetësore falas për të gjithë qytetarët) Donald Trump-it dhe amerikanëve, sapo Mbretëria e Bashkuar të lërë Bashkimin Europian.

Johnson i ka mohuar këto akuza duke i quajtur teori konspirative.

Premtimet thelbësore të Laburistëve (përpiluar nga BBC): 

- 400 miliardë paund fond transformimi kombëtar, ku përfshihen 250 miliardë paund për energjinë, transportin dhe mjedisin dhe 150 miliardë paund, për shkollat, spitalet dhe banesat.

- 75 miliardë paund për ndërtimin e 100 mijë banesave sociale çdo vit deri në vitin 2024 dhe 50,000 shtëpi me kosto të përballueshme nëpërmjet Housing Associations.

- Internet falas me fibra optike në çdo shtëpi dhe biznes në Mbretërinë e Bashkuar, e përfunduar deri në vitin 2030.

- Pagë minimale 10 paund në orë për të gjithë punonjësit.

- Referendum i ri për Brexit.

Premtimet thelbësore të Konservatorëve (përpiluar nga BBC) 

- Rikthimin e Projektligjit për daljen e MB-së nga BE në parlament, përpara Krishtlindjeve, në mënyrë që Brexit të realizohet deri në fund të Janarit 2020.

- 20.5 miliardë paund investime për sistemin shëndetësor (NHS) në Britani, deri në vitin 2023-2024. 50 milionë takime më shumë me mjekët dhe 50,000 infermiere më shumë për këtë shërbim.

- 20,000 oficerë policie më shumë brenda tre viteve të ardhshme në Angli dhe Wales.

- Asnjë rritje në taksimin mbi pagën, Kontributet Kombëtare dhe TVSH-në.

- Krijimi i një sistemi imigracioni të pikëzuar, si në Australi, i cili i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pavarësisht se nga cili vend vijnë.

Sondazhet dhe Votimi Taktik 

Pak ditë përpara zgjedhjeve, Koservatorët kanë një diferencë solide me Laburistët, me 40% dhe 30% respektivisht.

Liberal Demokratët janë në shifrat 11-14% ndërsa Brexit Party ka shifra të ulëta.

Sipas sondazheve, shanset e Konservatorëve për të arritur një mazhorancë dhe për të formuar qeverinë janë të larta, por partitë po i drejtojnë votuesit drejt votimit taktit, çka do do të thotë se shumë persona mund të votojnë për kandidatin e një partie që nuk mbështesin, në përpjekje për të ndalur konservatorët. Sipas ekspertëve të sistemit elektoral britanik, votimi taktit e bën rezultatin e këtyre zgjedhje të paparashikueshëm.

/TPZ.al/