BOTA, 27 Maj 2025, 17:25

Von der Leyen: Përshkallëzimi ushtarak në Gaza nuk mund të justifikohet

Von der Leyen: Përshkallëzimi ushtarak në Gaza nuk mund të

Komisioni Evropian gjithmonë e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë të drejtën e Izraelit për siguri dhe vetëmbrojtje, por ky përshkallëzim dhe ky përdorim joproporcional i forcës kundër civilëve nuk mund të justifikohet sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe atij ndërkombëtar, theksoi kreu i Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen.

“Zgjerimi i operacioneve ushtarake izraelite në Gaza që synojnë infrastrukturën civile, përfshirë një shkollë që shërbeu si strehë për familjet palestineze të zhvendosura, duke vrarë civilë, përfshirë fëmijë, është i neveritshëm”, tha ajo pas një telefonate me mbretin Abdullah II të Jordanisë.

”Bashkimi Evropian i bën thirrje Izraelit që menjëherë t’i japë fund përshkallëzimit aktual dhe Hamasit të lirojë pengjet e mbetura”, shtoi Von det Leyen.

Von der Leyen i kërkoi gjithashtu Izraelit të heqë bllokadën e Gazës.

“Izraeli duhet të rifillojë menjëherë shpërndarjen e ndihmës në përputhje me parimet humanitare, me pjesëmarrjen e Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë humanitarë”, shtoi ajo.

‘’Angazhimi i Evropës për një paqe të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme bazuar në zgjidhjen me dy shtete mbetet i palëkundur’’, përfundoi ajo.