BOTA, 6 Tetor 2024, 10:57

Valë e re sulmesh në Bejrut, “eliminohet” udhëheqësi ushtarak iranian?

Valë e re sulmesh në Bejrut, “eliminohet”

Një prej udhëheqësve të lartë ushtarakë të Iranit mendohet te jetë vrarë gjatë një sulmi ajror izraelit në Bejrut, Liban.

Esmail Qaani, kreu i forcave Quds – njësia elitë e gardës revolucionare të Irani – raportohet se gjendej në një takim me udhëheqësin e ri të Hezbollahut, Hashem Safieddine, bunkeri i të cilit u bombardua të enjten nga forcat izraelite.

Ndërkohë, të shtunën në mbrëmje, media të ndryshme në Lindjen e Mesme raportuan në anglisht dhe arabisht se sipas gjasave, Safieddine është vrarë.

“Sky News Arabia” raporton se, sipas burimeve libaneze, duket se askush nuk ka më kontakte me Safieddine. Megjithatë, ushtria izraelite nuk e ka konfirmuar ende vdekjen e tij.

Ndërkaq, bëhet me dije se kreu i forcave Quds të Iranit, Esmail Qaani, mund të ketë qenë i pranishëm në takimin me udhehqësin e ri të Hezbollahut në momentin kur bunkeri i këtij të fundit u godit nga raketat izraelite.

Kjo do të përbënte një kthesë të fortë të ngjarjeve, pas sulmit raketor të Iranit ndaj Izraelit javën e kaluar. Ekspertët shprehen se vdekja e Qaani-t do t’i dobësonte seriozisht kapacitetet e ushtrisë iraniane, por njëkohësisht do të intensifikonte më tej konfliktin në Lindjen e Mesme.