BOTA, 14 Gusht 2023, 17:20

Vaksinë e re kundër Covid-19? Shtohen infektimet nga varianti “Eris”

Vaksinë e re kundër Covid-19? Shtohen infektimet nga varianti

Një vaksinë e re kundër Covidi 19-ës pritet të dalë muajin e ardhshëm, edhe pse ekspertët dhe analistët e shëndetit këshillojnë që vala e re e sëmundjes të pritet me gjakftohtësi, pavarësisht se, sipas tyre, janë shtuar shtrimet në spital nga variant i ri i Omicron-it. I pagëzuar me emrin ”Eris”, infektimet po shtohen në mbarë SHBA-të. Shpresat janë që amerikanët ta mirëpresin vaksinën e re, ashtu siç do të bënin me një vaksinë të zakonshme gripi.

Megjithatë, kërkesa për vaksinat e Covid-it ka pësuar në përgjithësi një rënie të ndjeshme që prej vitit 2021, kur u vendos në dispozicion për herë të parë. Më shumë se 240 milionë njerëz në SHBA, ose 73% e popullsisë, morën të paktën një dozë të tyre, por interesi tashmë ka rënë shumë. Pfizer – prodhuesi më i madh i vaksinave të mRNA me BioNTech – së fundi paralajmëroi se mund t’i duhet të shkurtojë vende pune, dhe rivali i tij i madh Moderna, e pranoi se kërkesa mund të mos i kapërcejë 50 milionë dozat.

Vitin e kaluar, shitjet e vaksinave të Pfizer dhe Moderna arritën në 56 miliardë dollarë në mbarë botën; analistët parashikojnë rreth 20 miliardë dollarë për këtë vit. Vaksina e përditësuar kundër Erisit do të ofrohet nga shtatori. Ekspertët thonë se shqetësimi nga Covidi këtë vit ka rënë ndjeshëm, ndërsa i mëshojnë idesë së vaksinimit të të moshuarve dhe kategorive të tjera të rrezikuara, të cilat mund të kenë pasoja më të rënda nëse preken nga koronavirusi.