TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov deklaroi se Kievi synon të izolojë gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, përmes sulmeve me dronë ndaj linjave ruse të furnizimit.
Në një intervistë të publikuar sot në kanalin PRESSING në YouTube, Fedorov tha se ”operacionet ukrainase po godasin rrugët logjistike që lidhin Krimenë me forcat ruse, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë furnizimin e trupave në rajon”.
“Duket sikur Krimea së shpejti do të shndërrohet në një ishull”, u shpreh ai duke shtuar se këto sulme kanë hapur një “dritare mundësie” për Ukrainën.
Sipas tij, ndërprerja e logjistikës ruse po ndikon drejtpërdrejt në uljen e intensitetit të sulmeve përgjatë vijës së frontit.
“Për rusët po fillon një ferr që do të jetë i vështirë për t’u kapërcyer”, deklaroi ministri ukrainas duke theksuar se presioni mbi rrjetet e furnizimit do të vazhdojë.
Me ironi ndaj popullaritetit të Krimesë si destinacion pushimesh për turistët rusë, Fedorov tha se këtë vit gadishulli do të vizitohet kryesisht nga “dronët tanë”.
Ai bëri të ditur gjithashtu se ministria që drejton ka blerë më shumë dronë gjatë katër muajve të parë të vitit 2026 sesa gjatë gjithë vitit të kaluar, duke treguar rritjen e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës në këtë fushë.
Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdon prej më shumë se katër vitesh. Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe më vonë shpalli si territor të saj edhe rajone të tjera ukrainase, pretendime që nuk njihen nga shumica e vendeve perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare.