BOTA, 25 Gusht 2023, 08:48

U paraqit në burg, Donald Trump fotografohet si i dyshuar, lihet i lirë kundrejt garancisë 200,000 dollarë

U paraqit në burg, Donald Trump fotografohet si i dyshuar, lihet i
Foto në burg e Donald Trump

Donald Trump u dorëzua mbrëmë tek autoritetet e Xhorxhias për t’u përballur me akuzat për përpjekjet për përmbysjen e zgjedhjeve të vitit 2020 në atë shtet, një proces që zgjati vetëm 20 minuta dhe që përfshiu një element historik: fotografimin për herë të parë nga policia të një ish-presidenti amerikan si i dyshuar.

Ish-presidenti u la i lirë kundrejt një garancie prej 200,000 dollarësh dhe u kthye në aeroport për t'u rikthyer në Nju Xhersi, ku ai ka një nga rezidencat e tij.

Përpara se të hipte në avionin e tij privat në aeroportin Hartsfield-Jackson të Atlantës pas procedurës së dorëzimit, ish-presidenti Trump përsëriti pretendimin e tij se prokuroria në Xhorxhia - ashtu si prokurorët në paditë e tjera me të cilat ai përballet - është e motivuar politikisht.

"Ajo që po ndodh këtu është një farsë e sistemit të drejtësisë," u tha ai gazetarëve.

"Nuk kam bërë asgjë të gabuar dhe të gjithë e dinë këtë."

Dorëzimi i ish-presidentit Trump tek autoritetet e zbatimit të ligjit është bërë tashmë një pamje e zakonshme.

Është hera e katërt që ndaj tij ngrihet një aktpadi, diçka e pashembullt për një ish-president, aq më tepër gjatë një sezoni zgjedhor ku ai po kandidon për t'u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Por paraqitja e tij në Atlanta ishte e ndryshme nga tre procedurat e kaluara. Ai u dorëzua në mbrëmje në një burg famëkeq – por pa u paraqitur në gjykatë. Në rastet tjera, ai nuk ka qenë i detyruar të fotografohet si i akuzuar, por zyrtarët e qarkut të Fultonit kishin thënë se do të vepronin në përputhje me procedurat, që përfshijnë fotografimin e tij si të çdo të akuzuari tjetër.

“Ne do të veprojmë sipas praktikave tona të zakonshme, dhe pavarësisht statusit, do të përgatisim fotografimin,” kishte deklaruar sherifi i Qarkut të Fulton, Patrick Labat.

Dorëzimi gjithashtu nuk u bë në një bastion liberal si Nju Jorku apo Uashingtoni, por në zemër të një shteti që pritet të jetë një fushëbetejë vendimtare për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Dorëzimi i Trump erdhi një ditë pas debatit presidencial ndërmjet rivalëve të tij kryesorë në kampin republikan, garë kjo në të cilën ai vazhdon të kryesojë me gjithë problemet e shumta ligjore.

Paraqitja e tij në Xhorxhia, edhe pse zgjati vetëm disa minuta, largon të paktën përkohësisht vëmendjen nga kundërshtarët e tij, të cilët gjatë debatit të së mërkurës në mbrëmje munduan të shfrytëzojnë mungesën e zotit Trump për të përmirësuar shanset e tyre në garën presidenciale.