BOTA, 25 Maj 2025, 18:39

Tragjedi në Londër! Nëna dhe tre fëmijët humbin jetën nga zjarri, vajza 13-vjeçare në gjendje kritike

Tragjedi në Londër! Nëna dhe tre fëmijët humbin

Një zjarr shkatërrues në zonën Stonebridge të Brentit, në veri-perëndim të Londrës, ka marrë jetën e katër anëtarëve të një familjeje me origjinë pakistaneze. Viktimat janë një grua 43-vjeçare dhe tre fëmijët e saj – një vajzë 15-vjeçare dhe dy djem të vegjël. Një vajzë tjetër, 13 vjeç, ndodhet në gjendje kritike në spital, ndërsa një grua 71-vjeçare e familjes është trajtuar dhe është jashtë rrezikut.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur flakët përfshinë dy banesa në rrugën Tillett Close. Sipas autoriteteve, një burrë 41-vjeçar është arrestuar nën dyshimet për vrasje dhe po hetohet lidhur me rrethanat e tragjedisë.

Zjarrfikësit përballuan kushte të vështira në përpjekjet për të shpëtuar banorët, ndërsa komuniteti ka reaguar me dhimbje, duke vendosur lule dhe lodra pranë vendngjarjes në shenjë nderimi dhe mbështetjeje për familjen.

Hetimet e policisë vijojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të hedhur dritë mbi motivet e mundshme të krimit.