BOTA, 20 Shtator 2025, 21:45

Krimi horror/ 63-vjeçarja gjendet e vrarë në banesën e saj, ndalohet ish-kujdestarja. Prokuroria: Arma e krimit, një hanxhar, vrasja e kryer me shumë zemërim

Krimi horror/ 63-vjeçarja gjendet e vrarë në banesën e

Policia e Latina-s në Itali ka ndaluar një grua për vrasjen e Antonietta Roccos, 63-vjeçare, me probleme shikimi dhe aftësi të rënda motorike, e cila u gjet e shtrirë në shtrat në një pellg gjaku në apartamentin e saj në lagjen Campo Boario në qendër të qytetit.

Bëhet fjalë për një 52-vjeçare pa precedentë penalë, e cila më parë ka punuar si kujdestare e viktimës. Kjo është bërë e ditur gjatë konferencës për shtyp nga prokurorja Spinelli në Drejtorinë e Policisë së Latina-s.

Nuk bëhet fjalë për kujdestaren aktuale të të moshuarës që gjeti trupin dhe lajmëroi autoritetet, por ajo që kishte qenë më parë kujdestare e viktimës. Gjatë natës, hetuesit intervistuan dëshmitarë të shumtë dhe kryen kontrolle teknike shtesë që ndihmuan në mbledhjen e “të dhënave të forta të fajësisë”. Në bazë të këtyre, autoriteti gjyqësor urdhëroi ndalimin.

Prokuroria: Arma e krimit është ndoshta një hanxhar

63-vjeçarja është vrarë me një mjet të madh prerës, me shumë gjasa një hanxhar. Kështu deklaroi prokurorja shtesë Luigia Spinelli gjatë konferencës për shtyp për të dhënë detaje mbi rastin. Arma e krimit nuk është gjetur ende, por plagët në trup janë të shumta dhe të thella.

“Viktima është goditur në qafë me shumë forcë, që tregon një zemërim të veçantë,” tha prokurorja. Ajo shtoi se viktima u gjet në gjendje shumë të keqe të shtrirë në shtrat.