BOTA, 1 Prill 2025, 21:54

Shtëpia e Bardhë: Tarifat e njoftuara të Trump do të hyjnë në fuqi menjëherë

Shtëpia e Bardhë: Tarifat e njoftuara të Trump do të

Tarifat e ardhshme të presidentit amerikan, Donald Trump do të hyjnë në fuqi menjëherë pasi të njoftohen të mërkurën, tha sot Shtëpia e Bardhë, sipas CNBC.

“Shpallja e tarifave do të bëhet nesër. Ato do të hyjnë në fuqi menjëherë”, u tha sot gazetarëve sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt.

“Presidenti Trump e ka shpallur vazhdimisht 2 prillin si “ditën e çlirimit” të Amerikës”, tha Leavitt.

Trump tha se do të vendoste “tarifa reciproke” më 2 prill – duke sugjeruar se shumë vende – me detyrimet e tyre ndaj mallrave amerikane – mund të përballeshin papritur me barriera të reja tregtare.

Presidenti amerikan tha se kjo ishte politika më e madhe e SHBA-së – dhe se ajo do të fillonte me të gjitha vendet.

Por, shumë elemente rreth planit mbeten të paqarta, përfshirë shtrirjen dhe ashpërsinë e tarifave dhe mënyrën se si do të llogariten ato.

“Presidenti Trump tha mbrëmë se kishte marrë një vendim për nivelin e tarifave që do të vendosen nesër”, tha sot Leavitt në konferencën për shtyp.

Shtëpia e Bardhë njoftoi sot se Trump do të mbante nje fjalim nesër në orën 16:00, në ngjarjen “Make America Wealthy Again”, në Rose Garden.

Tarifat reciproke pasojnë një grup detyrimesh të tjera importi që Trump ka shpallur që nga marrja e detyrës më 20 janar.

Ato përfshijnë tarifa të larta për mallrat nga Kina, Kanadaja dhe Meksika, si dhe tarifat specifike të industrisë për metalet dhe, së fundmi, makinat e importuara.

“Këto tarifa “të përhershme” të automjeteve do të hyjnë në fuqi të enjten”, tha Trump javën e kaluar.