BOTA, 9 Maj 2025, 19:26

Shefi i NATO-s, Mark Rutte: Vendet anëtare të Aleancës të rrisin shpenzimet për mbrojtje dhe siguri në 5% të PBB-së deri në vitin 2032

Shefi i NATO-s, Mark Rutte: Vendet anëtare të Aleancës të

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka propozuar që 32 vendet anëtare të Aleancës të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtje dhe siguri të paktën deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2032, sipas kryeministrit të Holandës, Dick Schoof.

Rutte “pret që, në samitin e NATO-s” që do të mbahet në qershor në Hagë, të vendoset si objektiv që shpenzimet për mbrojtjen të arrijnë në 3.5% të PBB-së deri në vitin 2032. Një tjetër 1.5% duhet të shkojë për shpenzime të lidhura me sigurinë, si infrastruktura dhe siguria kibernetike, shpjegoi Schoof në një konferencë për shtyp.

Kërkesa për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% është shprehur disa herë edhe nga bashkëpunëtorë të presidentit amerikan Donald Trump. Propozimi u bë nga Rutte një javë më parë, me synim që vendet të arrijnë një marrëveshje përpara samitit të 24-25 qershorit në Hagë.

I pyetur për këtë çështje, Rutte shmangu të konfirmojë përqindjet e përmendura nga Schoof.

“Nuk do të konfirmoj shifra (…) gjithmonë kam thënë se, nëse qëndrojmë në 2%, nuk do të mund të mbrohemi. Prandaj duhet të rrisim shpenzimet për mbrojtje,” tha ai, pa dhënë më shumë hollësi.

Në fund të vitit 2024, 22 vende të NATO-s kishin arritur objektivin e vendosur në vitin 2014 për 2% të PBB-së për mbrojtje. Shumë të tjera, si Italia, Spanja dhe Belgjika, janë ende larg këtij synimi.

Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në 3.5% të PBB-së deri në vitin 2032 do të kërkonte një përshtatje të konsiderueshme buxhetore nga këto vende. Megjithatë, do të ishte më e lehtë për to të afrohen me objektivin 1.5% për sigurinë, pasi disa prej shpenzimeve, si ndërtimi i infrastrukturës për transport, përfshihen tashmë në këtë fushë.