TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një aeroplan i vogël që fluturoi për disa orë mbi pjesën veriore të Misisipit shkaktoi panik në tokë të shtunën në mëngjes, ndërsa drejtuesi i tij kërcënoi se do të përplasej me një dyqan Walmart. Disa orë më vonë autoritetet njoftuan se avioni u ul pa probleme në tokë dhe se drejtuesi i tij është ndaluar.
Guvernatori i Misisipit Tate Reeves njoftoi në Twitter se "situata është zgjidhur dhe se asnjë person nuk është lënduar". Ai falënderoi agjencitë e zbatimit të ligjit që ndihmuan në uljen e avionit.
Administrata Federale e Aviacionit konfirmoi se avioni u ul në Ripley të Misisipit dhe se në bordin e tij ndodhej vetëm piloti. Ripley ndodhet rreth 72 kilometra në veriperëndim të Tupelos, po në Misisipi, qytet ku u pikas për herë të parë avioni.
Avioni fluturoi mbi Tupelo për rreth 4 orë, prej orës 5 të mëngjesit bëri të ditur Departamenti i Policisë së Tupelo. Autoritetet evakuuan Walmart-in dhe një dyqan aty pranë për shkak se piloti kërcënoi se do të përplasej me qëllim me dyqanin Walmart.
Më pas avioni u largua nga zona në drejtim të pjesës rurale në veri të Misisipit.
Autoritetet besojnë se avioni i vogël, i llojit Beechcraft King Air C90A, ishte vjedhur dhe po punojnë për të përcaktuar nëse personi që e drejtonte atë ishte punonjës i një aeroporti lokal, bënë të ditur për Associated Press dy persona në dijeni të çështjes. Agjenci të shumta federale, mes tyre Departamenti i Sigurisë Kombëtare, po hetojnë për të gjetur motivin e kësaj ngjarjeje.
Incidenti ndodhi ndërsa dhjetëra mijëra tifozë ishin nisur për në veri të Misisipit për të marrë pjesë në ndeshjet e futbollit të së shtunës në Universitetin e Misisipit në qytetin e Oksfordit dhe në Universitetin Shtetëror të Misisipit në Starkville. Tupelo shtrihet mes këtyre dy qyteteve. /VOA