TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Si të gjithë egomanët Viktor Orban ka nevojë të vazhdueshme për vëmendje. Së fundmi ai vari në qafë një shall me hartën e perandorisë së madhe hungareze.
Ai i admiron gjithsesi ëndrrat perandorake të Putinit dhe luftën e tij në Ukrainë. Cari i Puszta-s ndoshta donte të tregonte se edhe ai është sundimtari i një perandorie, prej kohësh të zhdukur. Vendet fqinje e ndjenë veten të provokuar dhe reaguan me zemërim.
Ky shou është tërësisht qesharak. Hungaria, një vend me 10 milionë banorë nuk do të sulmojë askënd dhe kufijtë e vitit 1922 janë histori e qëkurshme. Veprimi nuk është gjë tjetër veçse dëshirë për të rënë në sy: hungarezi i vogël do të donte të ishte më i madh – fizikisht dhe politikisht.
Më në fund pas vitesh kritikash të pavlera dhe ankesash të parezultat nga ana e Perëndimit, Komisioni i BE-së, i shtyrë nga Parlamenti Evropian, tani ka vendosur t`ia bllokojë provizorisht paratë Viktor Orbanit. Më shumë se 13 miliardë euro nga fondet e rindërtimit strukturor dhe nga fondi i koronës janë të ngrirë, derisa ai të zbatojë seriozisht një katalog të gjerë reformash. Këtu bën pjesë fundi i korrupsionit në prokurimet publike, rivendosja e një gjyqësori të pavarur dhe shumë më tepër. Viktor Orban duhet që të paktën pjesërisht të ndalojë çmontimin e demokracisë në vendin e tij.
Deri tani ai ka bërë disa premtime të paqarta, por nuk ka zbatuar në fakt asnjë nga kërkesat. Kjo mund t’i kushtojë atij pushtetin. Nga ana tjetër ai ka nevojë urgjente për paratë nga Brukseli.
Prandaj ai kundërpërgjigjet edhe një herë me shantazh dhe kërcënon të bllokojë ndihmën prej 18 miliardësh për Ukrainën. E njëjta gjë vlen edhe për taksën minimale globale dhe për anëtarësimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë, të cilën ai deri tani e ka vonuar pa arsye. Orban luan sërish tërhiq e mos këput. Por mund të shpresohet, që BE më në fund do ta demaskojë bllofin e tij.
BE e ngriti vetë këtë përbindësh
Për më shumë se një dekadë institucionet evropiane e kanë lejuar veten të tërhiqen zvarrë në ring nga hungarezët.
Ata bënë sehir, kur ai e shndërroi shtetin e tij në një “autokraci të zgjedhur”, u shokuan kur ai shpalli demokracinë anti-liberale dhe nuk bënë rezistencë, kur ai shfuqizoi lirinë e shtypit, mori kontrollin e gjyqësorit dhe e bëri korrupsionin një synim shtetëror. Prej kohësh nuk ka më dyshim se Viktor Orban po shkel dhe po tallet me të ashtuquajturat vlera evropiane të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës.
Dhe ai nuk e fsheh atë që bën. Antisemitizmi i neveritshëm në fushatat e tij zgjedhore, racizmi i hapur dhe ksenofobia e shfaqur në politikat e tij, diskriminimi ndaj pakicave dhe atyre që mendojnë ndryshe – e gjithë kjo u zhvillua hapur dhe para syve të të gjithëve. Evropa e ka toleruar këtë për një kohë të gjatë duke e kategorizuar në folklor politik.
Siç dihet, fajin e kanë pjesërisht edhe kristiandemokratët në Parlamentin Europian, të cilët e mbuluan Orbanin për vite me radhë si të tyrin, si dhe ish-kancelarja, që e trajtoi atë si një nga miqtë e saj të dobishëm në Europën Lindore. Në këtë zonë të rehatshme Orban u bë mbrojtësi i forcave antidemokratike, nacionaliste dhe autoritare në Evropë.
Miqtë e tij më të mirë janë populistët e djathtë në Francë, Itali dhe Holandë. Nga Geert Wilders te Matteo Salvini, ata të gjithë bënë pelegrinazh në Budapest për t’u pranuar nga Orban në klubin e gjoja sundimtarëve autoritarë. Deri në luftën e Ukrainës edhe partia në pushtet në Poloni PiS ishte një nga miqtë më të mirë të hungarezëve. Ndërkohë marrëdhënia është ftohur.
Rezistencë në momentin e fundit
Viktor Orban financoi autokracinë e tij të vogël me paratë e taksapaguesve evropianë dhe gjatë viteve grumbulloi miliarda e miliarda nga Brukseli.
Ai ka mbushur me ato xhepat e tij, të familjes dhe përkrahësve të tij politikë. Po pse evropianët e lanë Orbanin për kaq kohë t’i bënte budallenj? Ishte një përzierje e tolerancës së rreme ndaj një “rruge të veçantë evropianolindore” dhe frikës nga shantazhi, që përdorte Orbani, sa herë që kërcënohej me ndëshkim.
Por ka zgjidhje. Ose shtetet anëtare bashkohen më në fund dhe ia heqin Orbanit të drejtën e votës, ose gjejnë zgjidhje të tjera. Për shembull, duke marrë vendime vetëm si marrëveshje ndërqeveritare mes 26 vendeve – pra duke mos e përfshirë Hungarinë. Ka juristë që mund të gjejnë mënyra, për të dalë nga korseja e traktateve evropiane.
Nëse Evropa nuk bëhet më në fund aktive për të mbrojtur demokracinë e saj, atëherë do ta humbasë atë. Kursi i ndjekur nga kryetarja e re e qeverisë së ekstremit të djathtë në Itali është një paralajmërim për këdo që besonte se nacionalistët dhe populistët në BE nuk duhet të merren shumë seriozisht.
Viktor Orban dhe demagogjia e tij autoritare kanë bërë që idetë e djathta ektreme të jenë sërish të pranueshme nga shoqëria dhe që vlerat humaniste të mund të vihen në dyshim. Hungaria ka helmuar ujin dhe ka infektuar tokën e komunitetit demokratik në Evropë. U takon kryetarëve të qeverive të BE, që ta neutralizojnë më në fund këtë rrezik në radhët e tyre në samitin e tyre në dhjetor./Deutsche Welle