BOTA, 24 Qershor 2022, 14:57

Sërish zhgënjim për Boris Johnson, konservatorët humbasin zgjedhjet e pjesshme në dy zona

Sërish zhgënjim për Boris Johnson, konservatorët humbasin
Boris Johnson

Në Mbretërinë e Bashkuar janë mbajtur zgjedhje të pjesshme në dy zona elektorale, të cilat konservatorët e Boris Johnson i kanë humbur. 

Bëhet fjalë për Wakefield, që u fitua nga laburistët, ndërsa Tiverton dhe Honiton u fitua nga kandidati i liberal demokratëve, Richard Foord. Ky i fundit arriti të përmbysë konservatorët, që tradicionalisht kanë arritur ta mbajnë këtë zonë. 

Pakënaqësia në rritje për shkak të skandalit të festave gjatë pandemisë dhe rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës, duket se kanë qenë faktorët që kanë prodhuar këtë rezultat. 

Më herët, Johnson i mbijetoi një mocioni mosbesimi nga konservatorët, duke arritur të sigurojë shumicën e mbështetjes nga rradhët e partisë së vetë, por pozitat e tij duken të lëkundura. 

Për momentin kryeministri ndodhet në Ruanda. Ai ka deklaruar se zgjedhjet ishin një rezultat i "shumë gjërave". 

Mbretëria e Bashkuar po përballet me inflacionin më të lartë në dekada, që arriti kulmin në 9.1%, duke rrezikuar futjen e ekonomisë në recesion.