BOTA, 25 Tetor 2025, 16:48

Reuters: SHBA përgatit sanksione të reja ndaj Rusisë nëse Putini nuk ndalon luftën në Ukrainë

Reuters: SHBA përgatit sanksione të reja ndaj Rusisë nëse

Administrata e Donald Trump ka përgatitur një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, në rast se Vladimir Putin vazhdon të vonojë përfundimin e luftës në Ukrainë, raporto Reuters. Sipas raportit, zyrtarë amerikanë kanë njoftuar gjithashtu homologët e tyre evropianë se Uashingtoni mbështet përdorimin e aseteve ruse të ngrira nga Bashkimi Evropian për blerjen e armëve amerikane që do t’i dërgohen Kievit.

Paralelisht, në SHBA kanë nisur diskutime të brendshme për përdorimin e fondeve ruse të bllokuara në territorin amerikan për të mbështetur përpjekjet e Ukrainës në front. Edhe pse nuk është e qartë nëse Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë menjëherë këto masa, ekzistenca e një plani të plotë tregon se Shtëpia e Bardhë ka gati “instrumente” për një përshkallëzim të mëtejshëm, pas vendimit të Trump-it të mërkurën për të vendosur për herë të parë sanksione ndaj Rusisë që nga rikthimi i tij në pushtet në janar.

Trump, i cili e paraqet veten si një “paqebërës global”, ka pranuar se përpjekjet për t’i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë janë më të vështira sesa priste. Aleatët evropianë, të cilët janë përballur me qëndrimet e paqarta të Trump, herë pajtuese e herë konfrontuese ndaj Putinit, shpresojnë që Uashingtoni të vazhdojë presionin ndaj Moskës, ndërsa po shqyrtojnë edhe ata masa të reja.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se do të dëshironte të shihte Evropën të ndërmerrte “hapin tjetër të madh” kundër Rusisë, qoftë me sanksione shtesë apo me tarifa doganore. Një tjetër burim shtoi se Trump mund të “ngrijë” për disa javë procesin, për të vlerësuar reagimin e Moskës ndaj sanksioneve të fundit. Sanksionet e fundit kishin në shënjestër gjigantët rusë të energjisë Lukoil dhe Rosneft, gjë që solli një rritje të çmimit të naftës me mbi 2 dollarë për fuçi dhe detyroi blerësit e mëdhenj kinezë e indianë të kërkonin furnizues alternativë.

Një pjesë e sanksioneve shtesë që ka përgatitur Uashingtoni pritet të godasë sektorin bankar rus dhe infrastrukturën e transportit të naftës, sipas një zyrtari amerikan. Javën e kaluar, zyrtarë ukrainas i paraqitën SHBA-së një listë propozimesh për masa të reja, ndër të cilat përfshihet përjashtimi i plotë i të gjitha bankave ruse nga sistemi i dollarit amerikan. Megjithatë, nuk dihet nëse këto propozime po merren seriozisht në konsideratë.

Edhe Kongresi amerikan po lëviz në të njëjtin drejtim, pasi një grup ligjvënësish po rikthen një projektligj dypartiak për sanksione që kishte mbetur në pritje për muaj të tërë. Trump është shprehur i gatshëm ta mbështesë, ndonëse sipas një zyrtari, miratimi i tij nuk pritet të ndodhë brenda tetorit. Departamenti i Thesarit amerikan nuk ka komentuar mbi raportimet, ndërsa Kirill Dmitriev, i dërguari special i Putinit për investime dhe bashkëpunim ekonomik, deklaroi të premten se beson se Rusia, SHBA dhe Ukraina janë “afër një zgjidhjeje diplomatike”.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e ambasadës ukrainase në Uashington, Halyna Yusypiuk, e mirëpriti mundësinë e sanksioneve të reja, duke shtuar: “Çmontimi i makinerisë luftarake ruse është mënyra më njerëzore për t’i dhënë fund këtij konflikti.”