BOTA, 2 Korrik 2023, 13:37

Rebelimi i grupit Wagner në Rusi, Zelensky: Ukraina mund të përfitojë në fushën e betejës, do të nisim kundër ofensivën

Rebelimi i grupit Wagner në Rusi, Zelensky: Ukraina mund të

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehet se tentativa për rebelim të shefit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin  në Rusi, javën e kaluar “ndikoi shumë në fuqinë ruse për fushë betejën”.

Zelensky tha se Ukraina mund të përfitojë nga ky rebelim dhe të realizojë kundër ofensivën ndaj Rusisë, citon CNN.

“Ata po e humbin luftën. Ata nuk kanë më fitore në fushën e betejës në Ukrainë, dhe kështu ata kanë filluar të kërkojnë dikë për të fajësuar.  Por rebelimi i Prigozhin mund të jetë i dobishëm në fazat e hershme të kundërofensive të Ukrainës. Ne duhet të përfitojmë nga kjo situatë për të larguar armikun nga toka jonë”, tha ai.

Zelensky tha se kundërofensiva nuk do të bëhet shpejt, sepse ai vlerëson jetët njerëzore dhe është strategjik në vendin ku janë vendosur trupat.

“Çdo metër, çdo kilometër kushton jetë… Mund të bësh diçka shumë shpejt, por fusha është e minuar deri në tokë,” tha ai. “Njerëzit (janë) thesari ynë. Kjo është arsyeja pse ne jemi shumë të kujdesshëm.”

Zelensky gjithashtu pretendoi se 21,000 mercenarë të Wagner janë vrarë në Ukrainën lindore. Ai nuk specifikoi se në cilën periudhë kohore kanë ndodhur vdekjet e supozuara.

“Grupi më i fuqishëm i Wagneritëve ishte në Ukrainën lindore”, tha Zelensky.

“Trupat tona vranë 21,000 vagneritë vetëm në Ukrainën lindore; 80,000 vagneritë u plagosën”, shtoi ai. “Këto ishin humbje të mëdha për Wagner PMC.”