TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Franca ndodhet sërish në një udhëkryq të rëndësishëm politik, vetëm pak më shumë se një vit pas zgjedhjeve parlamentare. Kryeministri François Bayrou, i cili mori drejtimin e vendit pas muajsh të tërë pritjeje nga ana e presidentit Emmanuel Macron, po përballet me një sfidë vendimtare: marrjen ose jo të votëbesimit më 8 shtator në Asamblenë Kombëtare.
“Zgjedhja sot është mes kaosit dhe përgjegjësisë”, deklaroi Bayrou, duke vënë në qendër të vëmendjes pasojat e rënda që mund të sjellë për vendin një kolaps politik në këtë moment të brishtë ekonomik dhe institucional.
Nëse skenarët e përfolur konfirmohen, Bayrou do të bëhet kryeministri i tretë që largohet nga detyra brenda një viti, një fakt që reflekton thellimin e krizës së brendshme në Francë. Qeveria e tij e pakicës, që deri tani ka mbijetuar falë mbështetjes së përkohshme të socialistëve, duket se nuk do të ketë votat e mjaftueshme për të qëndruar në pushtet.
Përveç refuzimit të menjëhershëm nga ekstremi i djathtë, të Gjelbrit dhe ekstremi i majtë, tani edhe socialistët pritet të mos e mbështesin më. Pa ta, shumica nuk ekziston dhe kjo do të sinjalizojë fundin e epokës Bayrou në krye të qeverisë.
Në sfond të krizës politike qëndron situata alarmante ekonomike, me borxhin publik në rritje të vazhdueshme dhe një deficit që rrezikon të eklipsojë ekonominë franceze në vitet e ardhshme. Qeveria ka propozuar shkurtime drastike prej mbi 40 miliardë euro në sektorët kyç, çka ka sjellë reagime të forta sociale dhe politike.
Bayrou ka shprehur gatishmërinë për dialog me të gjitha palët politikanë, sindikata dhe përfaqësues të industrisë, por njëkohësisht ka paralajmëruar se “është e papërgjegjshme të mbyllim sytë përballë rrënimit të brezave të ardhshëm”.
Një nga idetë që ka hedhur në tryezë kryeministri është organizimi i një referendumi kombëtar, për të pyetur drejtpërdrejt qytetarët mbi paketën e masave. Edhe pse propozimi i tij i është paraqitur zyrtarisht presidentit Macron, ai vetë pranoi se vendimi është delikat dhe nuk mund të merret me nxitim, duke kuptuar hezitimin e presidentit për ta çuar menjëherë një çështje kaq të ndjeshme në duart e elektoratit.