TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në një audio të publikuar nga televizioni izraelit Channel 12, ish-kreu i inteligjencës ushtarake izraelite dëgjohet duke thënë se vdekja e dhjetëra mijëra palestinezëve në Gaza është “e nevojshme dhe e detyrueshme për brezat e ardhshëm”.
“Për gjithçka që ndodhi më 7 tetor, për çdo person të 7 tetorit, 50 palestinezë duhet të vdesin. Nuk ka rëndësi tani nëse janë fëmijë. Fakti që tashmë ka 50,000 të vdekur në Gaza është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për brezat e ardhshëm”, dëgjohet të thotë Aharon Haliva në audio.
Mbetet ende e paqartë se kur dhe ku e ka bërë këtë deklarata, ndërsa numri i të vrarëve në Gaza i kaloi 50,000 në muajin mars.
“Nuk ka zgjidhje tjetër, herë pas here, ata kanë nevojë për një Nakba (katastrofë) për të ndjerë çmimin”, tha Haliva.
Termi në arabisht “Nakba”, i referohet një ngjarje të rëndë në historinë palestineze kur rreth 700,000 palestinezë ikën ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga grupe të armatosura hebraike në vitin 1948 gjatë themelimit të Shtetit të Izraelit.
Aharon Haliva ishte kreu i inteligjencës ushtarake izraelite më 7 tetor 2023, kur Hamasi nisi sulmet në Izraelin jugor, në të cilat u vranë 1,200 persona dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Ai dha dorëheqjen nga posti i tij në prill 2024 për shkak të “përgjegjësisë së tij udhëheqëse”.
Gjatë regjistrimit kuptohet gjithashtu pretendimi i ish-kreut të inteligjencës ushtarake izraelite se IDF nuk është e vetmja përgjegjëse për dështimet që çuan në sulmet e 7 tetorit 2023. Ai fajëson udhëheqjen politike të Izraelit dhe Shin Bet, shërbimin e sigurisë së brendshme, për besimin se Hamasi nuk do të kryente një sulm.
Pas publikimit të regjistrimit, ish-kreu i IDF-së Aharon Haliva tha për Channel 12 se regjistrimet u thanë në një “forum të mbyllur dhe unë vetëm mund të pendohem për këtë”.
Ai i quajti regjistrimet “fragmente të gjërave të pjesshme, të cilat nuk mund të pasqyrojnë pamjen e plotë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje komplekse dhe të detajuara, shumica e të cilave janë të klasifikuara në mënyrë të rreptë”.
Në një deklaratë, Hamasi dënoi komentet e Haliva-s dhe tha se regjistrimi audio “konfirmon se krimet kundër popullit tonë janë vendime të nivelit të lartë dhe politika zyrtare nga udhëheqja politike dhe e sigurisë e armikut”.