BOTA, 18 Gusht 2025, 12:07

Armëpushimi/ Polonia, kundër Trump për Ukrainën: Lufta merr fund nëse Rusia respekton marrëveshjet që ka firmosur që në 1994

Armëpushimi/ Polonia, kundër Trump për Ukrainën: Lufta merr

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, i është përgjigjur deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, mbi luftën në Ukrainë, duke dhënë një “recetë të thjeshtë” për paqen.

Në një postim në rrjetin social X, Sikorski shkroi:

“Që nga viti 1994, Ukraina ka pasur garanci për pavarësinë dhe paprekshmërinë e kufijve të saj — përfshirë edhe nga Rusia. 

Më 22 prill 2004, Vladimir Putin ratifikoi solemnisht Traktatin për Kufirin Rusi–Ukrainë. Mjafton vetëm t’i respektojmë ato — dhe lufta do të marrë fund”.

Kjo deklaratë erdhi pasi Trump u shpreh se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “mund ta mbyllte luftën me Rusinë pothuajse menjëherë, nëse do të donte”, duke lënë të kuptohej se kompromisi do të ishte dorëzimi i Krimesë dhe heqja dorë nga aspiratat për NATO.

Sikorski, një nga zërat më të fortë pro-ukrainas në Evropë, theksoi se paqja nuk vjen nga lëshimet ndaj Moskës, por nga respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të firmosura edhe nga vetë Rusia.