BOTA, 19 Tetor 2022, 23:49

Donald Trump pranon se letrat që shkëmbente me Kim Jong-un janë sekrete

Donald Trump pranon se letrat që shkëmbente me Kim Jong-un janë

Donald Trump pranoi se letrat që ai shkruante me Kim Jong Un në vitin 2019 dhe që më vonë i mori me vete pas largimit nga Shtëpia e Bardhë ishin sekrete.

Kjo u bë publike nga audio regjistrimi i një interviste që ai i dha gazetarit Bob Woodward në dhjetor të atij viti.

Në atë kohë, Trump i tregoi gazetarit letrat që Kim Jong Un i kishte shkruar, duke i thënë: “Askush tjetër nuk i ka, por dua që t’i trajtoni me respekt. Dhe mos thoni që ja u kam dhënë, në rregull”?

Por 1 muaj më pas, kur gazetari i kërkoi të shikonte letrat që Trump i kishte shkruar liderit të Koresë së Veriut, ish-Presidenti iu përgjigj: “Ato janë shumë sekrete”.

Në letrat që Trump shkëmbente me Kim Jon Un, të dy bënin urime për ditëlindje ndaj njëri-tjetrit.

Këto komente të bëra nga Donald Trump në atë kohë kundërshtojnë pretendimin e tanishëm të ish-Presidentit se kur u largua nga detyra nuk mori me vete dokumente sekrete, që kulmuan me kontrollin nga ana e FBI-së gjatë verës në rezidencën e tij private, ku u gjetën dokumente të klasifikuara si sekrete dhe tepër sekrete.