BOTA, 19 Tetor 2022, 17:45

Nisin hetimet ndaj ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, media daneze zbardh akuzat

Nisin hetimet ndaj ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s,

Ish-Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, është nën hetim për rolin e tij në falimentimin e Bankës Letoneze PNB, njoftoi këtë të mërkurë gazeta daneze Borsen.

Sipas autoriteteve letoneze, Rasmussen, i cili ishte nënkryetar i grupit të pavarur të menaxhimit të PNB, dhe ish-menaxherë të tjerë janë nën hetim për menaxhimin e tyre të mëparshëm të bankës.

Ata akuzohen se kanë vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, duke pranuar marrëveshje të mëdha pa kolateral, që kanë rezultuar në rreth 140 milionë euro “boshllëk” në asetet e bankës.

Autoritetet nuk e komentuan rastin me detaje, pasi hetimet janë ende në vijim, shkruan gazeta daneze.

Rasmussen ishte kryeministër i Danimarkës nga viti 2001 deri në vitin 2009, përpara se të drejtonte organizatën ushtarake transatlantike.

Ai themeloi firmën konsulente Rasmussen Global dhe bashkëkryeson Grupin për Garancitë e Sigurisë Ndërkombëtare për Ukrainën, së bashku me Andriy Yermak, këshilltarin kryesor të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Një zëdhënës i Rasmussen nuk pranoi të komentojë rastin në media.