BOTA, 19 Tetor 2022, 19:53

Britania nuk gjen qetësi, qeveria po "shkërmoqet"! Pas shkarkimit të Kancelarit të Thesarit, dorëhiqet Ministrja e Brendshme!

Britania nuk gjen qetësi, qeveria po "shkërmoqet"! Pas
Liz Truss, kryeministre e MB

Kryeministrja e re e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, po përballet me vështirësi të shumta dhe pozitat e saj janë në pikëpyetje edhe pse e ka marrë drejtimin e vendit vetëm pak javë më parë. 

Pas shkarkimit të Kancelarit të Thesarit, Kwasi Kwarteng dhe "lëmshit" me politikat fiskale, ku qeveria u detyrua të bëjë kthesë të fortë dhe turpëruese, ditën e sotme ka ardhur edhe dorëheqje e Ministres së Brendshme, Suella Braverman.

Zyrtarisht arsyeja e largimit të ministres është dërgimi i një emaili nga adresa e saj personale, në kundërshtim me rregullat. Megjithatë analistët vlerësojnë se ka patur pakënaqësi të saj me kryeministren, veçanërisht për politikat e kufirit, ku është aluduar se Braverman ka qenë nën trysni për politika më të relaksuara të emigracionit. 

Braverman shënjestroi kryeministren në letrën e saj të dorëheqjes, duke u shprehur se ka shqetësime për drejtimin në të cilin po shkon qeveria. Po kështu ajo shpreh shqetësim për devijimin nga manifesti me të cilin Truss u zgjodh prej anëtarëve të Partisë Konservatore. 

"Është e qartë për të gjithë, që ne po kalojmë kohë të trazuara. Jam e shqetësuar për drejtimin ku po shkon kjo qeveri", shkruhet në letrën e dorëheqjes. 

Bravermen u zëvendësua nga Grant Shapps, i cili ka shërbyer si Ministër i Transportit në kabinetin e Boris Johnson. 

Ministrja e brendshme në hije e opozitës, Yvette Copper, deklaroi se qeveria konservatore po "shkërmoqet" dhe se shkarkimi i ish Kancelarit dhe tashmë largimi i Ministres së Brendshme është "kaos total". Ajo ka kërkuar përgjigje urgjente nga kryeministrja. 

Pak ditë më parë, Liz Truss shkarkoi Kancelarin e Thesarit, Kwasi Kwarteng, pas 38 ditësh në detyrë, duke e zëvendësuar nga Jeremy Hunt. Ndryshimet në politikat fiskale pas shpalljes së "mini buxhetit" nga Kancelari dhe ulja e taksave për më të pasurit dhe korporatat, sollën kaos dhe pasiguri në ekonominë britanike dhe një rënie të paundit. 

Truss, e cila u zgjodh në detyrë nga anëtarët e Partisë Konservatore, pas dorëheqjes së Boris Johnson, pranoi se gjatë "mini buxhetit" ishin bërë gabime edhe pse në fakt politika fiskale ishte një "projekt" i përbashkët i saj dhe i ish Kancelarit, aleatë dhe miq të ngushtë me njëri tjetrin.