BOTA, 27 Gusht 2024, 16:36

Pse Keir Starmer paralajmëroi vendime "të dhimbshme" për britanikët?

Pse Keir Starmer paralajmëroi vendime "të dhimbshme"

Duket se optimizmi i fitores së thellë të laburistëve që përfshiu britanikët në korrik, ka nisur të zvenitet thuajse dy muaj më pas. Kryeministri Keir Starmer ka dalë ditën e sotme në një konferencë për shtyp, për të njoftuar se ditë "të dhimbshme" e presin vendin dhe duke paralajmëruar kështu rritje taksash në buxhetin e tetorit. 

Starmer e ka shpjeguar këtë qasje pesimiste, me një "gropë të zezë" që lanë pas konservatorët e larguar nga pushteti, për të cilën ai thotë se laburistët nuk kishin dijeni, ndaj edhe nuk e ndanë me publikun para zgjedhjeve. Dhe kjo "gropë e zezë" sipas kryeministrit, është plot 22 miliardë paund! 

"Do të ketë një buxhet në tetor dhe do të jetë i dhimbshëm", lajmëroi Starmer. 

Në manifestin e tyre për zgjedhjet e përgjithshme, laburistët premtuan se nuk do të kishte rritje taksash, ndaj është e paqartë se cilat taksa mund të rriten me buxhetin e tetorit. Kryeminsitri u zotua (sërish) se nuk do të ketë rritje të taksave mbi pagën, sigurimeve shoqërore dhe VAT. 

Ajo që dihet deri tani, është se qeveria do të zhdukë skemën e kompensimit të energjisë për 10 milionë pensionistë në Angli dhe Uells. Kjo skemë, e cila ishte në fuqi për dimrin, u jepte pensionistëve një pagesë prej 100-300 paund për të përballuar kostot e energjisë. Laburistët tashmë do ta zëvendësojnë me pagesa vetëm për personat që marrin ndihmë sociale dhe kredite të pensionit. Ky vendim ka nisur të reflektojë pakënaqësi dhe ankesa nga një pjesë e pensionistëve, për të cilët zgjedhja këtë dimër mund të jetë mes ngrohjes dhe ushqimit. 

Kryeministri e përshkroi këtë vendim si "të vështirë", ndërsa paralajmëroi se të tilla vendime priten në vijim.  

Qeveria gjithashtu ka anulluar disa projekte të infrastrukturës.

Reagimet kanë qenë të menjëhershme nga opozita. Lideri i konservatorëve, Rishi Sunak, tha se fjalimi i kryeministrit është treguesi më i qartë se laburistët kanë ndërmend të rrisin taksat, diçka që sipas Sunak, ata e kanë planifikuar prej kohësh. 

Vendimet konkrete të cilat Starmer i quajti të dhimbshme priten në tetor, me njoftimin e buxhetit, megjithatë është e qartë që Britania po "zgjohet" në një realitet pesimist, pas entuziazmit të fitores së laburistëve, me një fjalim që ka injektuar një sens brutal të realitetit ekonomik ku ndodhet vendi.