BOTA, 19 Mars 2025, 22:57

Protestë në Stamboll, bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar: Sot jemi të gjithë në paraburgim

Protestë në Stamboll, bashkëshortja e kryebashkiakut të

Pas arrestimit të Ekrem Imamoglu, kryetarit të bashkisë së Stambollit, një turmë e madhe qytetarësh u mblodh para ndërtesës së Bashkisë Metropolitane të Stambollit për të kundërshtuar prangosjen e tij.

Tubimi u bë si rezultat i thirrjes së bërë nga Ozgur Ozel, kreu i Partisë Popullore Republikane (CHP), shkruajnë mediat turke.

Dilek Imamoglu, gruaja e Ekrem Imamoglu, ishte e para që iu drejtua turmës që ishte mbledhur para bashkisë.

Ajo filloi duke falenderuar të gjithë ata që kishin ardhur pavarësisht motit, duke thënë: “Jam mirënjohëse për të gjithë ju që kapërceni pengesat për të qenë këtu sot”.

Ajo theksoi se ndalimi i të bashkëshortit të saj nuk ishte vetëm për të, “por për vullnetin e 16 milionë banorëve të Stambollit, për pensionistët që përfitojnë nga programet sociale, për të rinjtë dhe për të varfrit që janë të shtypur nga qeveria aktuale”.

Dilek vazhdoi: “Sot, ne jemi të gjithë nën paraburgim. Sot, ajo që është nën paraburgim është sundimi i ligjit, drejtësia dhe demokracia. Sot është shpresa për një Turqi paqësore, të lumtur, të drejtë dhe demokratike për 86 milionë qytetarë”.