BOTA, 19 Mars 2025, 20:50

“Keni dy muaj kohë!”, Trump ultimatum Iranit, çfarë parashikon refuzimi i propozimit të Presidentit të SHBA

“Keni dy muaj kohë!”, Trump ultimatum Iranit, çfarë

Presidenti amerikan Donald Trump i dha Iranit një afat prej dy muajsh për të arritur një marrëveshje të re bërthamore, përmes një letre që ai i dërgoi liderit suprem të Republikës Islamike, Ali Khamenei.

Siç raportojnë mediat e huaja, është e paqartë nëse numërimi mbrapsht dy-mujor ka filluar nga momenti i dorëzimit të letrës apo do të fillojë nga fillimi i negociatave për këtë çështje specifike.

Megjithatë, nëse Teherani e refuzon propozimin e Trump dhe nuk vjen në tryezën e bisedimeve, atëherë shanset për veprim ushtarak nga SHBA ose Izraeli kundër objekteve bërthamore iraniane, do të rriten në mënyrë dramatike.

Programi bërthamor iranian ka bërë përparim të rëndësishëm në katër vitet e fundit, duke e sjellë vendin më afër se kurrë me ndërtimin e një arme bërthamore.

“Ne nuk mund t’i lejojmë ata të marrin një armë bërthamore. Diçka do të ndodhë shumë shpejt. Unë do të preferoja një marrëveshje paqeje ndaj opsionit tjetër, por opsioni tjetër do ta zgjidhë problemin”, tha presidenti amerikan, një ditë pas zbulimit të letrës, e cila iu dorëzua disa ditë më parë nga i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, në një takim të mbajtur në Abu Dhabi.

Javën e kaluar, udhëheqësi iranian, Khamenei, e quajti letrën e Trump dhe propozimin e tij për negociata “një mashtrim që ka për qëllim vetëm të krijojë përshtypjen se Irani refuzon të negociojë”.

Khamenei tha se ai nuk i mbështet negociatat me SHBA-në, por disa orë më vonë misioni iranian në OKB lëshoi ​​një deklaratë për X dhe nuk përjashtoi negociatat midis Iranit dhe SHBA-së mbi programin bërthamor.

“Nëse objektivi i negociatave është adresimi i shqetësimeve kundrejt çdo militarizimi të mundshëm të programit bërthamor të Iranit, diskutime të tilla mund të jenë subjekt i shqyrtimit”, thuhet në deklaratë.