BOTA, 22 Mars 2025, 11:30

Protesta masive kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit

Protesta masive kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit

Protestat kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit janë bërë gjithnjë e më të tensionuara – një nga demonstratat më të mëdha të mosbindjes civile të Turqisë në më shumë se një dekadë pasi presidenti turk, Tayyip Erdogan paralajmëroi se nuk do të kishte tolerime, sipas “Reuters”.

Dhjetëra mijëra turq kanë dalë në rrugë në demonstrata kryesisht paqësore që nga e mërkura, kur kryebashkiaku Ekrem Imamoglu u arrestua dhe u akuzua.

Ai është rivali kryesor politik i Erdogan.Partia Popullore Republikane (CHP) e kryebashkiakut, opozita kryesore, e dënoi masën si politikisht të motivuar dhe u kërkoi mbështetësve të demonstronin ligjërisht.

“Ne nuk do të pranojmë prishjen e rendit publik,” tha Erdogan, 71 vjeç, para një auditori në Stamboll.

“Ashtu siç nuk i jemi dorëzuar kurrë terrorizmit të rrugës, nuk do t’i dorëzohemi vandalizmit”, shtoi ai.

Protestat, duke përfshirë kampuset universitare, u zhvilluan pavarësisht ndalimit katër-ditor të tubimeve të vendosura pas arrestimit.

Protesta të mëdha u zhvilluan dje në mbrëmje në disa qytete, përfshirë Stambollin.

Në Stamboll, të gjitha rrugët që të çojnë në ndërtesën e Bashkisë në rrethin Sarachane u mbyllën me urdhër të guvernatorit, por mijëra njerëz u mblodhën pavarësisht ndalimit.

Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya tha në një postim në X se 97 persona në të gjithë Turqinë ishin arrestuar gjatë demonstratave.

Tensionet mund të rriten në fundjavë – pasi një gjykatë pritet të vendosë për arrestimin zyrtar të kryebashkiakut.

Një veprim i tillë mund të përshpejtojë gjithashtu një shitje të aktiveve turke që tashmë ka nxitur bankën qendrore të ndërhyjë për të mbrojtur monedhën vendase.

Imamoglu, 54 vjeç, përballet me akuza, duke përfshirë korrupsionin dhe ndihmën ndaj një grupi terrorist.

Sipas një dokumenti gjyqësor, ai ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion.