TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në vitin 2010, seksioni prestigjioz për integritetin publik në Departamentin e Drejtësisë ishte ende duke u përballur me pasojat e vendimit të gabuar për të mos paraqitur provat që mbështesnin pafajësinë e Senatorit nga Alaska, Ted Stevens, ndaj të cilit po bëheshin hetime.
Kjo krizë e shtyu Prokurorin e Përgjithshëm të asaj kohe, Eric Holder, të ndërmerrte hapin e pazakontë për t’i kërkuar gjykatës rrëzimin e të gjitha akuzave ndaj ligjvënësit republikan.
Në kërkim të një drejtuesi të ri për këtë seksion, Departamenti i Drejtësisë i ktheu sytë tek një prokuror për krimet e luftës në Hagë, i cili kishte punuar më parë si prokuror në Nju Jork, në nivel shtetëror dhe federal, me çështje si rrahja brutale nga policia e një emigranti nga Haiti. Prokurori Jack Smith i pati thënë gjatë një interviste agjencisë së lajmeve Associated Press se sapo kishte lexuar për çështjen e ligjvënësit Stevens, nuk mundi t’i rezistonte dëshirës për t’u përfshirë në drejtimin e këtij seksioni.
“Isha në punën e ëndërruar dhe nuk kisha ndonjë dëshirë ta lija, por mundësi të tilla nuk shfaqen shpesh”, tha Prokurori Smith. “E lashë punën e ëndrrave të mia për një punë më të mirë”.
Tashmë, zoti Smith ka një pozicion të ri, megjithëse jo domosdoshmërisht punën e ëndërruar, që e vendos atë në epiqendër të dy hetimeve më domethënëse ndër vite të Departamentit të Drejtësisë. Në pozicionin e sapoemëruar si prokuror i posaçëm, zoti Smith do të ketë detyrën e mbikqyrjes së hetimeve për mbajtjen e dokumentave të klasifikuara në Mar-a-Lago, rezidencën në Florida të ish-Presidentit Donald Trump, si dhe disa aspekte të hetimit për përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 të fituara nga demokrati Joe Biden.
Hetimet mbartin ndërlikime të qarta politike, pasi kanë të bëjnë me një ish-president dhe aspirant për president. Madje, kur bëri njoftimin për emërimin të premten, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland përmendi futjen në garën elektorale këtë javë të zotit Trump, së bashku me synimin e Presidentit Biden për të rikandiduar, si arsyet përse veproi tani për të caktuar zotin Smith.
Prokurorit Smith do t’i duhet të veprojë me shpejtësi për t’u siguruar që puna e tij të përmbyllet përpara afrimit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, duke patur parasysh interesin tradicional të Departamentit të Drejtësisë për të shmangur veprimet që mund të shihen si ndërhyrje në rezultatin e një gare elektorale.
Kolegët e përshkruajnë zotin Smith si një prokuror të apasionuar që punon shumë dhe me shpejtësi, dhe që vepron pa bindje politike, por me këmbëngulje, për çështjet që i caktohen. Ai ka një stil të ngjashëm edhe jashtë gjykatës, si pjesëmarrës në gara atletike dhe maratona në mbarë botën.
“Është një jurist i shkëlqyer dhe një prokuror i shkëlqyer”, thotë Lanny Breuer, që drejtonte divizionin penal në Departmentin e Drejtësisë, ku përfshihet edhe seksioni për integritetin publik, gjatë kohë që u mor në punë zoti Smith. “Nuk është fare politik. Është krejtësisht në qendër”, shton ai.
I diplomuar në Universitetin e Harvardit, zoti Smith ngriti karrierën e tij profesionale në Nju Jork, me çështje si hetimi i oficerëve të policisë që u përfshinë në rrahjen e emigrantit haitian Abner Louima. Gjatë punës në Nju Jork, ai qëndroi gjatë një fundjave të tërë në korridorin e një godine apartamentesh për t’ia arritur të bisedonte me një viktimë të dhunës në familje, që kishte frikë të fliste. Pas një bisede që zoti Smith e përshkroi si “shumë, shumë të gjatë”, gruaja në fjalë arriti përfundimisht të dëshmojë në gjykatë.
Pasi shërbeu për një periudhë si prokuror për krimet e luftës, zoti Smith iu bashkua sërish Departamentit të Drejtësisë për të drejtuar seksionin e integritetit publik. Gjatë asaj periudhe, seksioni bëri hetime domethënëse dhe sfiduese për figura të rëndësishme publike nga të dyja kahet politike.
Prokurorët arritën të sigurojnë dënimin për korrupsion publik të ish-Guvernatorit republikan të Virxhinas, Bob McDonnell, vendim i cili u rrëzua më vonë nga Gjykata e Lartë. Seksioni ngriti akuza edhe ndaj ish-kandidatit demokrat për nënpresident John Edwards, por juria gjyqësore e shpalli atë të pafajshëm për njërën nga akuzat dhe nuk arriti të marrë vendim për akuzat e tjera, ndërsa Departamenti i Drejtësisë nuk ngriti akuza të reja ndaj tij.
Megjithëse nuk pati rezultat për këto dy çështje, seksioni ngriti me sukses çështje hetimore ndaj një sërë zyrtarësh shtetërorë për mashtrim të taksapaguesve dhe ndaj ushtarakëve që mashtruan forcat e armatosura. Seksioni pati edhe fitore të profilit të lartë.
Për shembull, Prokurori Smith drejtoi njësinë që mundësoi dënimin për korrupsion të ligjvënësit nga Arizona, Rick Renzi, vendim i cili u la në fuqi nga Gjykata e Lartë, megjithëse më vonë ish-Presidenti Trump dekretoi faljen e ligjvënësit republikan përpara se të linte detyrën. Ish-kreu i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut, Sheldon Silver, u akuzua për korrupsion në vitin 2015 dhe në vazhdim vuajti dënimin me burg.
Si drejtues, zoti Smith tregoi gatishmërinë për të ndërprerë çështjet hetimore kur nuk kishte prova të mjaftueshme, duke mbyllur kështu hetime të hershme ndaj figurave politike pa ngritur akuza. Ai i tha agjencisë së lajmeve Associated Press në vitin 2010 se “duhet të jesh i gatshëm të pranosh se nëse nuk ka diçka, nuk ka”.
Në vitin 2015, zoti Smith u bë prokuror federal në Nashville dhe më vonë ishte drejtues në detyrë i kësaj zyre, përpara se t’i drejtohej sektorit privat, dhe më rishtazi, si kryeprokuror për gjykatën speciale në Hagë për të hetuar krimet e luftës në Kosovë.
Alan Tieger, një prokuror i krimeve të luftës që punoi me zotin Smith, e përshkruan atë si “një njeri të mbrujtur me ideale tradicionale, por që nuk dorëzohet, dhe që është i motivuar dhe i shkëlqyer”. Ai thotë se Prokurori Smith “i mishëron të gjitha këto aftësi”.
“Nuk e shikon kurrë Jack-un të përsiatet gjatë ditës”, thotë zoti Tieger. “Është plotësisht i angazhuar çdo ditë”.
Megjithë këtë karrierë me çështje të profilit të lartë, hetimet për ish-Presidentin Trump pritet të ndiqen me vëmendje, ndërsa veprimet e tij do të analizohen nga publiku jo vetëm nëpërmjet lenteve ligjore, por edhe nga pikëpamja e ndikimit të tyre politik.
Zoti Smith do të ketë përgjegjësinë e vlerësimit nëse ndaj ish-Presidentit Trump, apo personave të tjerë, duhet të ngrihen akuza. Sipas rregullores, vendimet e tij do të kenë peshë dhe nëse Departamenti i Drejtësisë do të dojë të kundërshtojë ndonjë nga hapat madhorë që Prokurori Smith vendos të ndërmarrë në procesin hetimor, departamenti duhet të njoftojë me shkrim Kongresin për këtë në përfundim të hetimeve.
Nëpërmjet një deklarate të premten, Prokurori Smith u zotua të hetojë “në mënyrë të pavarur dhe sipas traditave më të mira të Departamentit të Drejtësisë”.
“Ritmi i hetimeve nuk do të bjerë gjatë drejtimit tim”, u shpreh ai. “Do të ushtroj gjykim të pavarur dhe do t’i zhvilloj hetimet me shpejtësi dhe rigorozitet drejt çfarëdo rezultati që do të diktojnë faktet dhe ligji”. /VOA