BOTA, 29 Gusht 2022, 21:49

Përleshje të përgjakshme në Bagdat mes dy grupeve rivale, vriten 12 persona! Dhjetra të plagosur

Përleshje të përgjakshme në Bagdat mes dy grupeve rivale,

Të paktën 12 persona janë qëlluar për vdekje në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, pasi qindra mbështetës të klerikut me ndikim shiit, Muqtada al-Sadr, sulmuan ndërtesat qeveritare në mes të tensioneve në rritje me grupet rivale shiite të mbështetura nga Irani.

Ndërsa të paktën 270 të tjerë u plagosën më 29 gusht, pasi u qëlluan me armë zjarri dhe gaz lotsjellës, në zonën e Gjelbër, ku gjinden ndërtesat qeveritare dhe diplomatike irakiane.

Mobilizimi masiv dhe kontrolli janë pjesë e strategjisë tashmë të njohur të klerikut, figurë e fuqishme në skenën politike në Irak. Ai njihet si nacionalist dhe me agjendë anti-Iranit.

Shtetet e Bashkuara i quajtën trazirat në Bagdad si “shqetësuese” dhe u bënë thirrje irakianëve që të përmbahen nga dhuna dhe të kërkojnë dialog për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike.

Misioni i Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Irak (UNAMI) i quajti zhvillimet “një përshkallëzim jashtëzakonisht të rrezikshëm” dhe gjithashtu u kërkoi të gjitha palëve “të përmbahen nga aktet që mund të çojnë në një zinxhir të pandalshëm ngjarjesh”.

“Vetë mbijetesa e shtetit është në rrezik”, thuhet në deklaratën e UNAMI-it. Dëshmitarët thanë se besnikët e klerikut shiit dhe mbështetësit e një blloku rival shiit, Korniza e Koordinimit pro-Iranit, kishin shkëmbyer zjarr në Zonën e Gjelbër./ REL