BOTA, 30 Gusht 2022, 16:01

Përleshje të përgjakshme në Bagdad pas largimit nga politika të një prej liderëve kryesorë në Irak! Raportohet për 23 të vrarë

Përleshje të përgjakshme në Bagdad pas largimit nga politika

Të paktën 23 persona janë vrarë gjatë luftimeve të përgjakshme në kryeqytetin e Irakut, pas vendimit të një prej liderëve kryesorë në vend për t’u larguar nga politika.

Të shtëna me armë zjarri dhe raketa shpërthyen në Bagdad ndërsa mbështetësit e klerikut mysliman shiit Moqtada al-Sadr u përleshën me forcat e sigurisë dhe milicitë e lidhura me Iranin.

Sadr u ka kërkuar mbështetësve të tij të largohen nga godina e parlamentit, ku ata kanë protestuar prej javësh.

Dhuna filloi të hënën pasi Sadr, një nga figurat më me ndikim të Irakut, tha se po tërhiqej nga jeta politike, pas krizës për formimin e qeverisë.

Aleanca e tij fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet e tetorit të vitit 2021, por nuk mundi të binte dakord për formimin e një qeverie të re me bllokun e dytë më të madh, të përbërë kryesisht nga parti të mbështetura nga Irani.

Dikur një aleat iranian, Sadr e ka ripozicionuar veten si një nacionalist që dëshiron t’i japë fund ndikimit të SHBA-së dhe Iranit mbi çështjet e brendshme të Irakut.

Luftimet po zhvillohen midis milicisë së Sadr, të njohur si Brigadat e Paqes, milicive të mbështetura nga Irani dhe anëtarëve të forcave irakiane të sigurisë.